KreuCelebrity

Artistja e re triumfon në Festivalin e Këngës në RTK

Artistja e re triumfon në Festivalin e Këngës në RTK

Artistja e njohur Arsi Bako është shpallur fituese e edicionit të tretë të Festivalit të Këngës në RTK, duke marrë trofeun prestigjioz “Diamanti i Kaltër” me këngën “Rreze zjarr”.

Kënga me frymë rock dhe interpretim plot energji arriti të ndezë skenën dhe publikun, duke u vlerësuar si një nga performancat më të spikatura të mbrëmjes. Pas shpalljes së rezultatit, atmosfera në sallë u mbush me entuziazëm, ndërsa Arsi u përqafua nga ekipi dhe kolegët e saj artistë.

E emocionuar nga fitorja, ajo tha:

“Nuk e kam pritur. Ndihem shumë e lumtur. Shumë faleminderit. Kjo është një arritje e rëndësishme për mua dhe për rrugëtimin tim muzikor.”
Në renditjen përfundimtare, vendi i dytë shkoi për Florent Abrashin me baladën “Unë dhe Ti”, ndërsa Arjeta Palushaj u rendit e treta me këngën “Andrra”, e cila u vlerësua për atmosferën e saj unike dhe ndjeshmërinë artistike.

Përveç çmimit kryesor, Arsi Bako mori edhe “Çmimin e Kryeqytetit”, duke konfirmuar suksesin dhe ndikimin e performancës së saj si tek publiku, ashtu edhe tek juria.

Në natën finale u ndanë edhe disa çmime të tjera:
• Çmimi i Orkestrës – Art Lokaj me këngën “Ty”
• “Pena e Argjendtë” (teksti më i mirë) – Teutë Halili me “Amin”

Spektakli i madh final solli në skenë 10 finalistët më të mirë të përzgjedhur nga gjysmëfinalja, duke krijuar një mbrëmje të pasur me emocione, muzikë dhe art. Atmosfera u gjallërua edhe më shumë nga performancat e të ftuarve specialë si Gjon’s Tears, Dren Abazi, Elvana Gjata dhe Tuna, të cilët ndezën publikun me interpretimet e tyre.