KreuCelebrity

Elton Ilirjani: Parashqevi Simaku rrezikon të kthehet e pastrehë!

 

Elton Ilirjani: Parashqevi Simaku rrezikon të kthehet e pastrehë!

Aktivisti dhe filantropi Elton Ilirjani ka ngritur shqetësimin për gjendjen e rënduar të këngëtares së njohur Parashqevi Simaku, duke deklaruar se ajo rrezikon të mbetet sërish e pastrehë nëse nuk ndërhyhet urgjentisht.

Në një intervistë për “TV Klan”, Ilirjani u shpreh se situata e artistes nuk ka njohur asnjë përmirësim gjatë 11 muajve të fundit, ndërsa sipas tij, Simaku nuk po merr as mjekimin e as mbështetjen e nevojshme për të përballuar vështirësitë.

“Parashqevi Simaku rrezikon të kthehet aty ku ishte, e pastrehë! Kanë kaluar 11 muaj dhe nuk ka asnjë përmirësim. Ajo nuk merr as mjekim, doli nga spitali dhe nuk është mirë. Përveç ‘GoFund’-it para 11 muajsh, ajo nuk ka marrë asnjë ndihmë tjetër,” – tha Ilirjani.

Ai shtoi se ndihma që ka ofruar deri më tani ka qenë maksimale, por se problemi kërkon ndërhyrje institucionale dhe angazhim të shtetit shqiptar.

“Ajo që i duhet Parashqevisë është ndihma e shtetit shqiptar – të shkojë të marrë mjekimin, të bëjë dokumentet, ID-në shqiptare dhe amerikane. Dikush duhet të vijë dhe të merret me këtë zonjë,” – theksoi ai.

Ilirjani nënvizoi gjithashtu se ndihmat e përkohshme apo donacionet individuale nuk janë zgjidhje afatgjatë, duke apeluar që autoritetet të marrin masa konkrete për të siguruar strehim dhe trajtim të qëndrueshëm për këngëtaren.