KreuCelebrity

Nicolas Sarkozy lirohet pas 20 ditësh burg, çfarë pritet të ndodhë

Nicolas Sarkozy lirohet pas 20 ditësh burg, çfarë pritet

Ish-presidenti francez Nicolas Sarkozy është liruar këtë të hënë nga burgu i La Santé në Paris, pas 20 ditësh të kaluar në arrest, në pritje të procesit të tij në apel për financimin e supozuar libian të fushatës së vitit 2007. Vendimi i gjykatës së apelit të Parisit e autorizon lirimin nën një kontroll gjyqësor strikt raporton Euronews France, duke e ndaluar ish-presidentin të largohet nga Franca, të kontaktojë me të tjerët të përfshirë në çështje, përfshirë ministrin aktual të Drejtësisë, Gérald Darmanin, dhe të ushtrojë aktivitetet e tij si folës publik.

Sarkozy, i dënuar në gjykatën e parë me 5 vjet burg, ka apeluar vendimin, dhe qëndrimi i tij në burg konsiderohet si arrest provizor, jo ekzekutim i dënimit. Gjatë seancës përmes videokonferencës, ish-presidenti e përshkroi përvojën e burgut si “makth”, por vlerësoi “humanizmin e jashtëzakonshëm” të personelit dhe premtoi të respektojë të gjitha kërkesat e drejtësisë.

Vendimi ka ngjallur reagime të shumta politike. Djali i tij, Louis Sarkozy, publikoi një foto me të atin me mbishkrimin “Rroftë Liria”. Politikanët konservatorë, si Laurent Wauquiez, Christian Estrosi dhe Renaud Muselier, e kanë cilësuar lirimin e ish-presidentit si një vendim “i drejtë” dhe kanë shprehur shqetësim për proporcionalitetin e vendimit fillestar.

Sarkozy ishte dërguar në burg më 21 tetor, menjëherë pas dënimit, një situatë e cila shkaktoi debat të gjerë në Francë dhe përbën një precedent historik për një ish-president francez dhe në Bashkimin Evropian. Procesi i tij në apel për financimin libian të fushatës pritet të nisë në mars.