Transgjinorja Luana Myrto hodhi akuza të forta ndaj shoqatave LGBT në vendin tonë, teksa ka deklaruar se e kanë marrë nga familja duke i premtuar se do ta ndihmonin. Në një intervistë televizive, Luana tha se pasi e kanë marrë nga familja, shoqatat e LGBT-së e kanë kërcënuar dhe i kanë bërë presion që të gënjente për dhunën nga babai.
“Më morën nga familja LGBT! Kam qenë me 10-ta në shkollë dhe më premtuan se do më ndihmonin, pasi isha e varfër! Më çuan te streha e LGBT-së. Më pas filluan kërcënimet dhe presioni që të gënjeja, të thosha se babai më rrihte, gjë që nuk ishte e vërtetë,”, tha transgjinorja shqiptare.
Po ashtu, transgjinorja tha se e kishin gënjyer edhe për kushtet që do të jetonte, teksa tha se e kanë lënë në mëshirë të fatit dhe nëse do të qëndronte atje, do të përfundonte në rrugën e prostitucionit.
“Na premtonin që do na blinin telefon, që do na siguronin kushte më të mira, por as rroba të përdorura nuk na jepnin! Më lanë në mëshirë të fatit dhe nëse do kisha qëndruar atje, do shkoja drejt prostitucionit, ashtu siç kanë bërë me shumë të tjera”, tha Myrto në Euronews Albania.
Më tej transgjinorja shtoi se përfaqësuesit e LGBT-së që mashtrojnë njerëzit në nevojë, duhet të jenë pas hekurave.
“Ata marrin miliarda në emër të mbrojtjes së komunitetit, por nuk ngrejnë asnjë institucion real që të ndihmojë njerëzit që janë vërtet në nevojë. Këta njerëz duhet të jenë pas hekurave”, u shpreh Luana.

