Pas 10 vitesh martese, marrëdhënia e çiftit mund të përballet me sfida të reja. Gazetari i Fiks Fare, kësaj here vjen në Revistë Bordo në rolin e psikologut teksa ndan me disa këshilla dhe këndvështrim mbi dashurinë dhe marrëdhëniet në një rrëfim që të meson shumë.
Ai shpjegon se dashuria kalon nga pasioni i fillimit, i njohur si Eros, drejt një lidhjeje më të qëndrueshme, por që nuk është pa sfida.
“Martesa lodhet,” shpjegon ai, duke sqaruar se krizat e para shpesh shfaqen pas 7 deri në 10 vjetësh bashkëjetese. “Duhet gjetur mënyra të reja për t’u dashuruar çdo ditë,” thotë Foni, duke theksuar rëndësinë e kujdesit ndaj marrëdhënies përtej pasionit fillestar.
Ai këshillon çiftet që të mos nxitohen për martesë në muajt e parë të lidhjes, pasi dashuria e parë shpesh është thjesht epsh. “Më mirë prisni një vit ose një vit e gjysmë para se të vendosni të martoheni,” thotë Foni.
Por si kuptohet nëse martesa po pëson lodhje? Psikologu shpjegon se shenjat vijnë ngadalë:
“Qefmbetjet e vogla, ndryshimet në sjellje, gjuha e trupit tregojnë fillimin e zbehjes së dashurisë. Aftësia për të lexuar partnerin është më e zhvilluar tek gratë, të cilat kanë 14 deri në 17 zona të trurit për këtë analizë, ndërsa burrat vetëm katër deri në shtatë.”
Foni thekson se këto shenja nuk shfaqen papritmas, por zhvillohen gradualisht, duke u shfaqur si irritim i vogël, zëra të brendshëm, përplasjen e dyerve apo tensione të tjera të përditshme. Njohja e këtyre shenjave mund t’i ndihmojë çiftet të ndërmarrin hapa për të rigjallëruar dashurinë dhe për të ruajtur marrëdhënien.
Për më tepër ndiqni intervistën e plotë më poshtë:
