Afrimiteti mes Selit dhe Mirit u kthye në një nga temat kryesore të Prime-t të mbrëmjes, duke nxitur diskutime të shumta si në studio ashtu edhe te publiku. Sjellja e tyre brenda shtëpisë u pa nga disa si shenjë e lindjes së ndjenjave, ndërsa të tjerë e konsideruan thjesht një raport miqësor dhe strategjik.
Arbër Hajdari u shpreh se në një ambient të mbyllur dhe të ngarkuar emocionalisht, krijimi i ndjenjave është diçka e natyrshme. Sipas tij, është e kuptueshme që një vajzë e re të lidhet emocionalisht me dikë që i ofron mbështetje dhe siguri. Por ndryshe e sheh situatën kur bëhet fjalë për Mirin, pasi ai, sipas Hajdarit, ka një jetë të ndërtuar jashtë shtëpisë. Opinionisti theksoi se fakti që Miri është i martuar e bën këtë raport të diskutueshëm dhe se ai duhet të tregojë më shumë kujdes në sjelljen e tij. Ai shtoi se marrëdhënia mund të ketë nisur si aleancë loje, por me kalimin e kohës ka kaluar kufijtë e saj.
Nga ana tjetër, Monika Kryemadhi nuk e ndan të njëjtin mendim. Ajo u shpreh se Mirin e sheh si një person korrekt dhe xhentil, i cili mban të njëjtën sjellje me të gjitha vajzat në shtëpi. Sipas saj, mes Selit dhe Mirit nuk ka asgjë më shumë se një marrëdhënie miqësore dhe bashkëpunim në lojë, dhe se situata po interpretohet gabim.
Përplasja e mendimeve mes dy opinionistëve e mbajti këtë raport në fokus të Prime-t, ndërsa publiku mbetet në pritje për të parë nëse afrimiteti i Selit dhe Mirit do të evoluojë apo do të mbetet thjesht pjesë e strategjisë së lojës.
