
Aktorja e njohur Amanda Peet ka bërë publik një rrëfim shumë personal, duke treguar se është diagnostikuar me kancer të gjirit. Ajo ndau detajet përmes një artikulli në revistën The New Yorker, ku përshkruan një periudhë të mbushur me sfida emocionale.
Diagnoza erdhi në një moment tepër të ndërlikuar për të, pasi të dy prindërit e saj ndodheshin në gjendje të rënduar shëndetësore. Peet rrëfen se nuk arriti t’ia tregonte nënës së saj lajmin në kohë.
“Ishte e çuditshme që nuk i tregova vjeshtën e kaluar se isha diagnostikuar me kancer,” shkruan ajo.
Për vite me radhë, aktorja kishte qenë nën monitorim për shkak të indeve të dendura në gjoks. Gjatë një kontrolli rutinë, një ekografi zbuloi një masë të dyshimtë, e cila më pas u konfirmua përmes biopsisë.
Testimet e mëtejshme zbuluan dy tumore: një me natyrë kancerogjene, por të kapur në fazë të hershme dhe të trajtueshme, si dhe një tjetër beninj. Sipas mjekëve, trajtimi i saj do të përfshijë ndërhyrje kirurgjikale të pjesshme (lumpektomi) dhe radioterapi, pa qenë e nevojshme kimioterapia apo mastektomia e plotë.
Peet dhe bashkëshorti i saj vendosën t’i informonin edhe fëmijët për situatën, ndërsa në të njëjtën kohë ajo po përballej me humbje të mëdha familjare.
Aktorja tregoi se nëna e saj ishte në ditët e fundit të jetës, ndërsa gjendja e të atit u përkeqësua papritur, duke ndërruar jetë pa pasur mundësinë që ajo ta takonte për herë të fundit.
“Ndihesha fajtore që nuk qava, por në njëfarë mënyre ishte edhe një pushim nga mendimi se sa kohë më kishte mbetur,” u shpreh ajo.
Duke kujtuar momentet e fundit me nënën, Peet tha se komunikimi mes tyre ishte përtej fjalëve:
“Nuk isha e sigurt nëse më kuptonte, por ndjeva që po komunikonim. I kisha thënë tashmë gjithçka që kisha për t’i thënë.”
