
Brooklyn Beckham mund të ndjekë gjurmët e prindërve të tij në botën e dokumentarëve, por këtë herë me një histori shumë më personale në qendër.
26-vjeçari u bë kryefjalë në janar, pasi publikoi një reagim të fortë në rrjetet sociale, ku akuzonte David dhe Victoria Beckham për kontroll dhe ndërhyrje në jetën e tij, veçanërisht në marrëdhënien me bashkëshorten, Nicola Peltz. Që prej asaj kohe, raportet mes tyre thuhet se janë të tensionuara dhe të ftohta.
Edhe pse çifti Beckham ka bërë disa përpjekje publike për t’u afruar me të birin, Brooklyn duket se ka mbajtur distancë, madje sipas burimeve, nuk është i interesuar për një pajtim të shpejtë.
Në këtë klimë, mediat ndërkombëtare raportojnë se ai mund të jetë protagonist i një dokumentari të ri. Një platformë amerikane streaming, Hulu, thuhet se ka shfaqur interes dhe tashmë janë zhvilluar bisedime fillestare me ekipin e tij.
Burime pranë projektit bëjnë të ditur se dokumentari pritet të fokusohet jo vetëm te aktiviteti i tij në fushën e kulinarisë, por edhe te marrëdhënia e ndërlikuar me familjen.
Nëse realizohet, ky projekt do ta vendoste Brooklyn Beckham përballë një sfide të re në industrinë e argëtimit, duke e futur njëkohësisht në konkurrencë indirekte me Netflix, platformën që ka sjellë më parë dokumentarë për prindërit e tij.
