
Këngëtarja suedeze Zara Larsson ka treguar se një video e saj në TikTok, ku bënte një shaka lidhur me abortin, i ka kushtuar një kontratë të majme prej rreth 3 milionë dollarësh.
28-vjeçarja u përball me reagime të forta në rrjetet sociale pas publikimit të videos, por ka zgjedhur të mos tërhiqet nga qëndrimet e saj. Në një deklaratë për mediat, Larsson u shpreh se nuk ka asnjë pendesë, duke theksuar se humbja financiare nuk e bën të ndryshojë mendim për çështje që i konsideron thelbësore.
“Shakaja për abortin, që për mua është shumë qesharake, më kushtoi një marrëveshje prej 3 milionë dollarësh”, u shpreh ajo.
Artistja theksoi se për të, parimet personale peshojnë më shumë se çdo përfitim ekonomik, duke lënë të kuptohet se nuk është e gatshme të bashkëpunojë me kompani që nuk ndajnë të njëjtat bindje mbi të drejtat e grave.
“Nëse nuk jeni dakord që gratë duhet të kenë akses në abort, apo që mund të flasim edhe me humor për këtë temë, atëherë nuk jemi të përshtatshëm për të qenë partnerë”, shtoi ajo.
Pavarësisht kritikave, Larsson mbetet e palëkundur në qëndrimet e saj. Deklaratat e saj kanë hapur një debat të gjerë online, duke rikthyer vëmendjen te përplasja mes lirisë së shprehjes dhe interesave komerciale të markave.
