KreuCelebrity

Publikohen pamjet e arrestimit të Justin Timberlake, artisti shfaqet i shqetësuar gjatë testit të alkoolit

Publikohen pamjet e arrestimit të Justin Timberlake, artisti shfaqet i
Janë bërë publike pamjet nga momenti i arrestimit të Justin Timberlake, ku këngëtari shihet teksa i nënshtrohet testeve të alkoolit nga policia në New York City gjatë vitit 2024.

Ngjarja daton në qershor, në zonën e Hamptons, kur autoritetet e ndaluan artistin pasi dyshohej se kishte shkelur një shenjë STOP dhe nuk kishte qëndruar në korsinë e tij. Sipas raportimeve, Timberlake ishte në timon të një BMW dhe dyshohej se kishte konsumuar alkool, megjithëse ai deklaroi se kishte “pirë vetëm një martini”.

Në videon e publikuar, këngëtari shfaq vështirësi gjatë testeve standarde, si ecja në vijë të drejtë apo mbajtja e ekuilibrit në një këmbë. Në një moment ai dëgjohet të thotë: “Këto teste janë vërtet të vështira”, ndërsa duket i tensionuar.

Gjatë komunikimit me oficerët, Timberlake u shpreh: “Jam në një turne botëror, jam Justin Timberlake”, ndërsa më pas, teksa shoqërohej drejt makinës së policisë, pyeti: “Pse po më arrestoni?”. Në komisariat, reagimi i tij duket i habitur kur informohet se do të qëndrojë i ndaluar për natën.

Fillimisht, ekipi ligjor i artistit tentoi të ndalonte publikimin e videos, duke argumentuar shkelje të privatësisë dhe ndikim në imazhin e tij publik. Megjithatë, më vonë u arrit në përfundimin se materiali mund të bëhej publik pasi nuk binte ndesh me ligjin.

Kujtojmë se në shtator 2024, Timberlake pranoi fajësinë për një akuzë më të lehtë që lidhet me drejtimin e mjetit nën ndikimin e alkoolit. Si pasojë, ai u gjobit me 500 dollarë, u detyrua të kryente 25 orë shërbim komunitar dhe iu pezullua leja e drejtimit për 90 ditë.