
Harry Styles po shijon një nga momentet më të forta të karrierës së tij, pasi projekti i tij i katërt, Kiss All the Time. Disco Occasionally, ka pushtuar listat muzikore globale duke u renditur menjëherë në vendin e parë.
Sipas shifrave të publikuara, artisti ka kaluar shifrën e një milion kopjeve të shitura vetëm gjatë javës së debutimit, duke shënuar një nga rezultatet më të larta për një këngëtar mashkull në vitet e fundit. Albumi u ngjit në krye të Billboard 200 në SHBA dhe dominoi gjithashtu tregun britanik, ku paralelisht edhe kënga American Girls arriti majat e klasifikimeve.
Në Mbretërinë e Bashkuar, Styles regjistroi rreth 183 mijë kopje të shitura në javën e parë, duke lënë pas suksesin e albumit të mëparshëm Harry’s House, i cili kishte debutuar me 113 mijë kopje. Po ashtu, projekti i ri ka vendosur një standard të ri edhe në shitjet e disqeve vinyl për një artist britanik në këtë shekull.
Publikimi u shoqërua me një koncert special në Co-op Live në Manchester, i cili është xhiruar për një projekt ekskluziv në Netflix. Për më tepër, artisti u shfaq edhe si prezantues dhe performues në Saturday Night Live.
Në vazhdim, Styles pritet të nisë një seri koncertesh rezidencë në shtatë qytete të ndryshme, përfshirë 30 net në Madison Square Garden dhe 12 shfaqje në Wembley Stadium. Në disa prej performancave, ai do të ndajë skenën me artistë të njohur si Shania Twain, Robyn, Jorja Smith dhe Jamie xx.
