
Justin Bieber ka ndarë me ndjekësit e tij reflektime të sinqerta mbi gjendjen emocionale, duke treguar se po kalon një periudhë sfiduese në jetën personale.
Artisti 31-vjeçar pranoi se, pavarësisht famës, e konsideron veten një njeri me të meta dhe dobësi, duke theksuar se jo gjithmonë arrin të shmangë gabimet apo të mos lëndojë të tjerët pa dashje. Ai u shpreh se çdo ditë përpiqet të përmirësohet dhe të kultivojë më shumë empati, duke vënë theksin te rëndësia e dashurisë dhe faljes.
Në postime të tjera, këngëtari foli edhe për pasiguritë e tij, duke zbuluar se shpesh ka frikë të tregojë plotësisht veten, pasi druhet nga mënyra si mund të perceptohet nga të tjerët. Megjithatë, ai nënvizoi se hapja dhe sinqeriteti i japin një ndjesi çlirimi dhe lirie.
Këto deklarata vijnë në një moment kur fansat kanë shprehur shqetësim për mirëqenien e tij, për shkak të postimeve të fundit të paqarta dhe spekulimeve rreth jetës së tij personale, përfshirë raportin me bashkëshorten, Hailey Bieber.
