
Këngëtari i njohur Gjesti është lënë i lirë mbrëmjen e djeshme, pas një jave në ndalim, pas incidentit të bujshëm me kompaninë Onima.
Ngjarja, që mori vëmendje të madhe mediatike, nisi si një përplasje verbale mes artistit dhe përfaqësuesve të kompanisë, e cila më pas agravoi. Gjatë ndërhyrjes së autoriteteve, u raportua se këngëtari mbante me vete edhe një armë pa leje.
Detaje mbi rastin dha avokati i tij, Artan Çerkini, në një lidhje direkte për emisionin Shqipëria Live. Ai u shpreh se lirimi i artistit ka qenë një moment emocional, duke marrë parasysh edhe periudhën e vështirë personale që Gjesti ka kaluar pas humbjes së vëllait.
Sipas Çerkinit, gjendja e rënduar emocionale ka ndikuar në reagimin e këngëtarit gjatë konfliktit. Megjithatë, ai theksoi se Gjesti ka bashkëpunuar me autoritetet, ka pranuar fajësinë dhe ka shfaqur pendesë për veprimet e tij.
Gjykata vendosi që artisti të dënohet me kusht, si dhe me një gjobë prej 7 mijë eurosh, pa vendosur masa të tjera kufizuese ndaj tij.
Avokati sqaroi gjithashtu se konflikti kishte në thelb një mosmarrëveshje financiare me kompaninë Onima, për të cilën pretendohet se i detyrohet këngëtarit. I revoltuar nga situata, Gjesti reagoi me tone të ashpra dhe, sipas deklarimeve, dëmtoi edhe disa objekte gjatë incidentit.
Nga ana e tij, këngëtari ka shprehur keqardhje për situatën e krijuar dhe për gjuhën e përdorur, duke premtuar se nuk do të përfshihet më në episode të tilla. Sipas avokatit, ai është tashmë i lirë dhe pa asnjë masë ndaluese, ndërsa këshilla kryesore për të mbetet që çdo mosmarrëveshje ta zgjidhë përmes rrugëve ligjore.
