Ka ndërruar jetë në moshën 40‑vjeçare në Gjermani gazetari dhe publicisti i njohur Namir Lapardhaja. Lajmin e ka konfirmuar familja e tij për gazetën “Tema”, pas disa përpjekjeve për t’u kontaktuar, pasi ai nuk iu përgjigj telefonit në mëngjesin e sotëm. Dyshohet se shkak i vdekjes ka qenë një trombozë në zemër.
Vetëm pak ditë më parë, më 5 mars, Lapardhaja festoi ditëlindjen e tij të 40‑të. I njohur si publicist, kritik letrar dhe qytetar i angazhuar, ai shquhej për analizat dhe opinionet e tij në media.
Lapardhaja vinte nga një familje e persekutuar gjatë regjimit komunist dhe njihej për mendjen e hapur dhe qasjen kritike ndaj ngërçit të së djathtës shqiptare dhe problemeve të opozitës. Ai ishte autor i disa librave, eseve dhe një sërë artikujsh, të cilët mbeten pjesë e trashëgimisë së tij kulturore për shoqërinë dhe familjen.
