KreuCelebrity

U akuzua për vdekjen e Amy Winehouse, reagon ish-bashkëshorti: “Nuk mbaj gjithë fajin”

U akuzua për vdekjen e Amy Winehouse, reagon ish-bashkëshorti:
Blake Fielder-Civil, ish-bashkëshorti i Amy Winehouse, ka folur sërish për marrëdhënien e tyre të vështirë dhe për akuzat që e lidhin me vdekjen e këngëtares legjendare.

Në një intervistë të rrallë për podcastin “We Need to Talk”, ai iu përgjigj kritikëve që e konsiderojnë përgjegjës për ndarjen nga jeta të Winehouse në vitin 2011, si pasojë e helmimit nga alkooli, në moshën 27-vjeçare.

“Unë nuk i shmangem përgjegjësisë. Kur kam gabuar, e pranoj,” u shpreh ai, duke pranuar se ka pasur ndikim në jetën e saj, por duke mohuar se mban përgjegjësi të plotë për fundin tragjik të artistes.

Fielder-Civil theksoi se tashmë ka gjetur një lloj paqeje me të kaluarën dhe e përshkroi Amy-n si një grua të fortë dhe të pavarur, që merrte vetë vendimet e saj.

“Ajo bënte atë që donte. Edhe kur alkooli po e dëmtonte, nuk ndalonte,” tha ai, duke shtuar se nuk ka për qëllim ta paraqesë negativisht këngëtaren.

Ai pranoi gjithashtu se kishte qenë personi që e kishte njohur për herë të parë me heroinën, por theksoi se Winehouse kishte përdorur më herët substanca të tjera, si kokaina.

“Njerëzit mendojnë se e kam detyruar të përdorte drogë, por kjo nuk është e vërtetë. Nuk kam qenë unë ai që e furnizoja vazhdimisht,” u shpreh ai.

Sipas tij, nuk është e drejtë që gjithë faji t’i atribuohet një personi të vetëm, duke shtuar se edhe vetë nuk ka fajësuar kurrë askënd për varësinë e tij.

“Nuk kam fajësuar personin që më dha drogë për herë të parë, pse duhet ta bëj këtë për Amy-n?” u shpreh ai.

Në fund, ai theksoi se të dy ishin të rinj dhe ranë në varësi, një situatë që sipas tij mund t’i ndodhë kujtdo.

Amy Winehouse dhe Blake Fielder-Civil ishin të martuar nga viti 2007 deri në 2009, por mbetën në kontakt edhe pas ndarjes. Në momentin e vdekjes së saj, ai ndodhej në burg dhe nuk mundi të merrte pjesë në ceremoninë mortore.