KreuCelebrity

Çdo ditë nga Lezha në Shkodër për punë, Alis Kallaçi: Si e gjeta veten në X Factor Albania

Çdo ditë nga Lezha në Shkodër për punë, Alis

I ftuar në emisionin Rudina në Tv Klan, këngëtari Alis Kallaçi ka ndarë historinë e tij frymëzuese, duke folur hapur për rrugën që e çoi drejt fitores në “X Factor” dhe tani përfaqësues në Eurovision.

Ai tregoi se fillimi i këtij rrugëtimi ishte i mbushur me emocione dhe pasiguri, duke pranuar se edhe sot e ka të vështirë ta besojë mënyrën se si u përball me skenën për herë të parë.

“Kur e kujtoj atë moment, them me vete se nuk e di si kam arritur të ngjitem në atë skenë. Ishte një eksperiencë që erdhi natyrshëm, hap pas hapi, deri te netët live”, u shpreh ai, duke shtuar se mbetet shumë mirënjohës për mundësinë që i dha ky spektakël.

Rrënjët e pasionit të tij për muzikën nisin që në fëmijëri. Ai kujtoi se në klasën e pestë mori pjesë në festivalin “Bilbilat e vegjël” në Shkodër, ku arriti të fitonte, duke i dhënë vetes dhe familjes sinjalin e parë për talentin e tij.

Pas këtij suksesi të hershëm, ai vendosi të fokusohej më shumë te muzika instrumentale, duke ndjekur studimet për piano dhe duke kultivuar dëshirën për të krijuar muzikë. Për një periudhë, ai punoi edhe në Lezhë, ndërsa vazhdonte të ushqente pasionin artistik.

Vendimi për të marrë pjesë në “X Factor” erdhi në një moment të papritur. Një mesazh nga nëna e tij, që e njoftonte për nisjen e audicioneve, u bë shtysa për të provuar fatin, edhe pse pa pritshmëri të mëdha.

“Nuk po kërkoja domosdoshmërisht një garë, por ndjeja se kisha nevojë për një ndryshim. Pavarësisht frikës dhe dyshimeve, vendosa të shkoj dhe ta provoj”, rrëfeu ai.

Ky hap rezultoi vendimtar, pasi Alis Kallaçi, nën mentorimin e Arilena Ara, arriti të shpallet fitues i edicionit 2024 të “X Factor”, duke fituar mbështetjen e publikut dhe duke shënuar një pikë kthese në karrierën e tij artistike.