
Dua Lipa ka reaguar ashpër ndaj mënyrës se si po raportohet rasti i Jeffrey Epstein, duke theksuar se gjuha e përdorur në media po e zhvendos vëmendjen larg viktimave.
Gjatë episodit të fundit të podkastit të saj “Service95 Book Club”, në një bisedë me autoren Roxane Gay, këngëtarja shqiptare u ndal te mënyra si janë trajtuar publikisht krimet e rënda të lidhura me Epstein.
“Është e neveritshme. Mënyra si raportohen këto histori dhe gjuha që përdoret i dëmton viktimat. Flitet për ‘vajza të mitura’ dhe ‘festa seksuale’, në vend që të theksohet se bëhet fjalë për viktima të trafikimit dhe abuzimit,” u shpreh ajo.
Sipas artistes, mënyra e formulimit të këtyre lajmeve shpesh zbut realitetin dhe krijon një perceptim të shtrembëruar për atë që ka ndodhur.
“Është sikur gjithçka të mbulohet me një lloj veli, ndoshta për të mos tronditur lexuesin, por në fakt kjo vetëm sa e maskon të vërtetën,” shtoi ajo.
Dosjet e Jeffrey Epstein janë bërë publike në fillim të janarit nga Departamenti i Drejtësisë në SHBA dhe deri tani përfshijnë rreth 3.5 milionë faqe dokumentesh.
Publikimi i tyre ka shkaktuar reagime të forta, sidomos për shkak të emrave të njohur që përmenden, përfshirë figura nga industria e argëtimit, politika dhe fusha të tjera, duke tronditur opinionin publik.
