Një lajm i mirë vjen nga çështja e këngëtarit të njohur dhe fituesit të edicionit të 4 të BBVA, Gjesti. Këngëtari është liruar nga burgu ditën e sotme pas ndryshimit të masës së sigurisë ndaj tij.
Sipas Prive by Liberta Spahiu konfirmimi për lirimin erdhi nga avokati i tij, Artan Qerkini, i cili e ka përfaqësuar artistin gjatë gjithë procesit gjyqësor.
Pak ditë më parë, ndaj artistit ishte vendosur masa e paraburgimit prej një muaji nga Gjykata e Prishtinës, mbi dyshime për disa vepra penale, si kanosje, dëmtim të pasurisë dhe posedim të paautorizuar të armëve. E gjithë çështja nisi pas përplasjes së tij me kompaninë "Onima" me të cilën kishte bashkëpunimin e parë gjatë fillimit të karrierës.
Megjithatë, pas rishikimit të çështjes nga organet kompetente, është vendosur që ai të gjykohet në gjendje të lirë. Kjo i hap rrugë artistit të vazhdojë aktivitetin e tij të përditshëm, ndërsa procedurat ligjore ndaj tij mbeten ende në zhvillim.
