KreuBusull

'Rivali historik' Daily Mail gati të blejë “The Telegraph” për 500 milionë paund!

Daily Mail and General Trust (DMGT) ka hyrë në bisedime për të blerë grupin “Daily Telegraph” për rreth 500 milionë paund, duke shënuar zhvillimin më të fundit në sagën dyvjeçare të shitjes së një prej mediave më të njohura britanike.

DMGT, në pronësi të Lord Rothermere, u bë ofertuesi kryesor pasi marrëveshja e mëparshme me konsorciumin RedBird Capital Partners dështoi vetëm dy javë më parë. Në një deklaratë zyrtare, grupi theksoi se blerja do t’i jepte stabilitet punonjësve të Telegraph dhe do të garantonte vazhdimësinë e gazetarisë së saj.

DMGT, që zotëron edhe “Daily Mail”, “Mail on Sunday”, “Metro”, “i Newspaper” dhe revistën “New Scientist”, premton se Telegraph do të mbetet editorialisht i pavarur.

Gazeta u nxor në shitje në vitin 2023, pasi Lloyds Bank e sekuestroi për të shlyer borxhet e familjes Barclay. Fillimisht u ble nga RedBird IMI, një fond i mbështetur nga Emiratet e Bashkuara Arabe, por marrëveshja u bllokua për shkak të shqetësimeve mbi ndikimin e mundshëm të një shteti të huaj.

RedBird u rikthye me një ofertë të dytë këtë vit, por u tërhoq pas kundërshtive të forta në redaksi.