KreuBusull

“Ne flasim shqip, kërkojmë drejtësi” studentët shqiptarë në RMV protestë!

“Ne flasim shqip, kërkojmë drejtësi” studentët

Sot në Shkup janë zhvilluar protesta të mëdha me pjesëmarrjen e një numri të lartë studentësh shqiptarë, qytetarësh dhe përfaqësuesish politikë, të cilët kërkojnë që provimi i jurisprudencës të mund të jepet në gjuhën shqipe.

Sipas protestuesve, ndonëse Kushtetuta e Maqedonisë së Veriut e njeh përdorimin e gjuhës shqipe si të drejtë të garantuar, atyre nuk u lejohet zhvillimi i këtij provimi në gjuhën amtare. Ata e cilësojnë këtë situatë si “diskriminim në praktikë”, duke theksuar se “ligji ekziston në letër, por nuk zbatohet”.

Gjatë marshimit, protestuesit u ndalën para Ministrisë së Drejtësisë, ku kërkuan lejimin e menjëhershëm të zhvillimit të provimit në gjuhën shqipe. Ata iu drejtuan gjithashtu kryeministrit të Maqedonisë së Veriut Hristijan Mickoski dhe ministrit të Drejtësisë Igor Filkov, duke kërkuar dorëheqjen e tyre.

Protesta është mbështetur edhe nga Tirana zyrtare. Ministri i Punëve të Jashtme Ferit Hoxha deklaroi se bëhet fjalë për një të drejtë të garantuar me Kushtetutë dhe kërkoi respektimin e saj.

Studentët paralajmërojnë se nuk do të tërhiqen nga kërkesat e tyre derisa të garantohet e drejta për të dhënë provimin e jurisprudencës në gjuhën shqipe.