Ditën e sotme është njoftuar se gazetari i njohur investigativ, Artan Hoxha është shpallur 'non grata' nga autoritetet greke. Gazetari investigativ është cilësuar si i “padëshirueshëm” dhe kërcënim për rendin publik dhe ndalohet të hyjë në territorin grek. Ditën e djeshme, gazetari Hoxha është ndaluar nga policia greke e kufirit në pikën e kalimit kufitar të Kakavijës.

Por Artan Hoxha nuk është i vetmi gazetar investigativ shqiptar i shpallur 'non grata' në Greqi!
Më 19 gusht të vitit 2012, gazetari i mirënjohur Marin Mema u shpall i padëshiruar (“non grata”) nga autoritet greke, që e cilësuan si rrezik kombëtar për shtetin e tyre.

Shkaqet e shpalljes së Marinit person "non grata" në Greqi qenë dy reportazhe të realizuara në "Shqipëria tjetër". I pari kishte të bënte me trajtimin e problematikës në krahinën e Çamërisë dhe tjetri paraqiste fshatin e lindjes të patriotit shqiptar Papa Kristo Negovani. Asokohe, gjatë filmimeve, autoritetet greke ndaluan edhe grupin e xhirimit të Top Channel.


