KreuStil Jetese

Arla Dermishi, notarja kampione e Shqipërisë!

 

 

Në një realitet, ku për adoleshentët sfida më e madhe është telefoni dhe rrjetet sociale, bën dallim një i ri, që kohën e lirë nga një aktivitet sportiv e kthen në qëllim të vetes. Arla Dermishi është një vajzë si shumë të tjera, që prindërit e regjistruan në një kurs noti për të mbushur pasditet. Po vit pas viti, tashmë plot një dekadë, ajo e ka kthyer notin në misionin e saj. Këtë verë, Arla u shpall Kampione e Shqipërisë. Është 15 vjeçe dhe shumë shpejt emri i saj premton të jetë emri i shqiptares, që do të na bëjë krenarë në sportin e notit, jo vetëm në vendin tonë, por edhe në arenën ndërkombëtare! 

Arla, si e ke nisur notin si një sport apo aktivitet argëtues? 

Notin e nisa në moshën 5-6 vjeçare. Ishte dëshira e mamit, që unë thjesht si një fëmijë të bëja një aktivitet fizik dhe mos t’i kaloja gjithë pasditet me një telefon ose një ekran përpara, por të lëvizja trupin dhe mendjen. Por me kalimin e kohës nga një dëshirë e prindërve, u bë dëshirë shumë për mua edhe duke bërë gara, duke bërë stërvitje më hyri shumë në qejf, sa tani jam unë ajo që zgjedh të shkoj edhe e dëshiroj. 

Kur e kuptove që nuk ishte më aktivitet pasditeje, por ishte sport për ty? 

Besoj kam qenë 10-11 vjeçe kur e kuptova që ato medaljet që merrja ose ato diplomat më pëlqenin më shumë se thjesht ajo stërvitja që bëja. 

Cila është kupa e parë që mban mend që more, në çfarë aktiviteti? 

Këtë nuk e di, nuk e mbaj mend. Tani së fundmi mora kupën e Shqipërisë për moshën time, por dhe të gjithë Shqipërisë për të rritur. 

Si u ndjeve? 

U ndjeva mirë, jo se nuk e prisja, thellë-thellë edhe e mendoja që mund ta fitoja, por kur bëra atë garën e fundit që e vendoste, u ndjeva shumë mirë. 

Si ishte momenti kur ngrite kupën? 

Gara ime ishte gara e fundit dhe e kuptova që në fillim që do ta merrja unë Kupën. U gëzova shumë dhe u ndjeva tej mase e motivuar. 

Me kë i ndan emocionet e këtyre fitoreve? 

Emocionet e para me profesorin se është ai me ne në pishinë, pastaj me prindërit. 

Si e sheh të ardhmen tënde në not? 

Tani është dëshira ime që të vazhdoj dhe dua të shkoj sa më lart. Dëshira tani është që të shkoj tek Olimpiada Rinore, në fund të vitit 2026 në Senegal. 

 

Si është regjimi yt, çdo ditë stërvitesh, si e ke të organizuar ditën? 

Unë dy herë në javë stërvitem në 6 të mëngjesit, zgjohem në orën 5, shkoj në stërvitje pastaj në shkollë dhe përveç kësaj çdo pasdite kam stërvitje përfshirë dhe të shtunën. 3 herë në javë bëj palestër, vetëm e diela është pushim. 

Të duket impenjative apo si një regjim ti e përqafon dhe e bën me shumë qejf? 

Impenjative është, por me dëshirën që e bëj unë nuk besoj që e bën njeri tjetër. Po dhe disiplinë shumë. 

Telefoni është tundim i madh, brezi yt është gjithë kohën në telefon. Ti si e sfidon? 

Nuk jam shumë e dhënë pas telefonit, po të më shohësh dhe në rrjetet sociale janë vetëm me not dhe gara dhe nuk është se u përdor shumë. 

Çfarë mendon për të rinjtë që më së shumti i dedikohen gjërave të kota dhe telefonit? 

Unë mendoj se çdo fëmijë duhet të merret me një aktivitet fizik, ose të paktën të bëjë diçka tjetër pasdite, mos të kaloj kohë para telefonit. Por që është zgjedhja e tyre në fund të ditës, do të thosha që çdo person duhet të merret me një diçka tjetër. 

Sa të pengon ky aktivitet për shkollën? 

Nuk mund të them që më pengon sepse është diçka që jam e obliguar ta bëj, edhe unë e di shumë mirë që më duhet dhe një profesion. Duhet të mbaroj dhe shkollën për t’u bërë notare sepse paralelisht ecin të dyja, kështu që nuk e shoh si pengesë, por më shumë e shoh si diçka tjetër në ditën time, që duhet ta bëj dhe atë siç bëj dhe notin. 

Je në vit të parë në gjimnaz e dinë shokët e tu, që kanë një kampion në klasë? 

Jo nuk e dinë të gjithë. E dinë shumë pak veta, por besoj do të merret vesh me kalimin e kohës (qesh). 

Të bën krenare ky fakt? 

Më bën krenare, por nuk mendoj që është gjëja e parë që të gjithë duhet të mësojnë nga unë. Kam shumë gjëra për të dhënë. 

Çfarë ke ti përtej notit që njerëzit duhet ta mësojnë? 

Unë mendoj se jam tip i komunikueshëm dhe përshtatem me të gjithë, bëj kompromise me të gjithë njerëzit edhe ia dua të mirën të gjithëve. Besoj kjo është një gjë shumë e mirë. 

Pas 10 vitesh ku e sheh veten? 

Unë e shoh veten në një profesion si fizioterapiste ose diçka të ngjashme, por në lidhje me sportin e shoh dhe punën time. E shoh dhe si notare akoma, sepse 25 vjeç besoj është kulmi i çdo notari, por nuk di të them në Shqipëri apo jashtë. 

Ke ndonjë notar që e ke idhull, që ndjek karrierën e tij? 

Unë i ndjek të gjithë notarët. Summer McIntosh për momentin është një nga notaret femra që unë ndjek më shumë. Dhe nga mosha nuk është shumë e madhe, është 18 vjeçe, më pëlqen shumë çdo arritje që ajo ka bërë. 

Po në Shqipëri sporti i notit është i motivuar, i inkurajuar? 

Sporti i notit në Shqipëri për mendimin tim nuk është fare i dëgjuar, duhet të dëgjohet më shumë nga të gjithë, duhet të njihet, duhet të mbështetet nga shumë e më shumë veta, por duke ngritur zërin jo vetëm unë, por duke e promovuar notin dhe shumë të tjerë besoj që do dëgjohet dhe do ketë më shumë ndjekës. 

Të gjithë aktivitetet ku merr pjesë janë në mënyrë private aktualisht? 

Përveç disa aktiviteteve në verë që zgjedh Federata, çdo gjë tjetër është shpenzim nga xhepi. 

Ke shokë aty që e keni nisur bashkë rrugën? 

Tek ekipi besoj se të gjithë shtyjmë njëri-tjetrin me aq sa mundemi dhe pa ekipin nuk besoj se do të dilte ndonjë notar. Dhe pse është sport individual, ekipi dhe trajneri shtyjnë shumë në stërvitje dhe gjatë garës. 

Suksese Arla! 

Nga Ilda Lumani 

Fotografia: Marti Kasmi