Një vajzë 14-vjeçare ndodhet në gjendje të rëndë në Spitalin e Korçës, pasi u hodh nga kati i tretë i pallatit ku jetonte. Sipas raportimeve paraprake, adoleshentja ishte prej kohësh viktimë e bullizimit dhe dhunës nga fëmijët e lagjes nr. 14.
Nëna e saj, e tronditur nga ngjarja, ka rrëfyer për mediat se episodet e dhunës ishin të përsëritura dhe të motivuara nga fakti se familja e tyre vinte nga një fshat i Kolonjës.
“Burrin e kam në burg për dhunë në familje, kam katër fëmijë. Vajzën e madhe ma kanë rrahur, edhe të dytën. Po shtohen bullizimet. Para dy ditësh e ka goditur çupën një vajzë në kurriz. Sot prapë vajtën ta godisnin. Më goditën edhe mua në stomak dhe më morën në polici. Kur isha unë në polici, çupa u hodh nga kati i tretë, sepse fëmijët e tallnin, i thoshin që ‘mamin ta morën në polici, jeni fshatarë’. Nuk na lënë rehat”, u shpreh ajo mes lotësh.
E mitura aktualisht po trajtohet nga mjekët e Spitalit të Korçës, ndërsa gjendja e saj raportohet kritike. Autoritetet kanë nisur hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.


