Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike paralajmëron qytetarët për një fushatë të re mashtrimi nëpërmjet mesazheve telefonike, të njohura si “smishing”.
Sipas AKSK-së, qytetarët kanë raportuar se po marrin SMS ku u kërkohet të paguajnë gjoba të rreme për shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor.
Mesazhet përmbajnë një link mashtrues, i cili drejton përdoruesit në faqe të rrezikshme ku kërkohet kryerja e pagesave online ose dhënia e të dhënave personale, shkruan zoom.al. “Ky nuk është komunikim zyrtar nga institucionet shtetërore dhe çdo qytetar që e merr këtë SMS duhet ta injorojë dhe të mos klikojë në link”, thekson AKSK.
Autoriteti bën me dije se janë marrë masat e menjëhershme për raportimin dhe bllokimin e faqes së dyshimtë, me qëllim parandalimin e dëmeve të mundshme.
“Ju bëjmë thirrje qytetarëve:
Mos hapni linqe të dyshimta që vijnë nga SMS apo email-e jozyrtare.
Mos kryeni pagesa përmes faqeve që nuk kanë domaine zyrtare të institucioneve.
Raportoni menjëherë raste të ngjashme pranë AKSK ose institucioneve përkatëse”, thuhet një reagimin e AKSK.


