Rita Ora ka habitur publikun me një deklaratë të pazakontë, duke pohuar se beson se mund të jetë “shtrigë”. Këngëtarja 34-vjeçare shpjegoi se kjo “fuqi mistike” është, sipas saj, një gjen i trashëguar në familje, shkruan Daily Mail.
Gjatë intervistës në podcastin Happy Hour Overheard, Rita u shpreh: “Gjyshja ime ka qenë 100% shtrigë. Për mamin nuk jam shumë e sigurt, por unë besoj se e kam patjetër këtë gen.” Ajo e përshkroi edhe martesën e saj si një përvojë “shpirtërore”, ndërsa tregoi pasionin që ka për jogën dhe astrologjinë.
Artistja ndau edhe disa nga ritualet që e mbajnë të balancuar: “Çdo javë bëj lexime, hap letrat e tarotit… Në fund të ditës, mjafton të gjesh diçka që të jep shpresë – dhe aq mjafton.” Rita shtoi se beson “100 për qind” në astrologji, madje me shaka tha se “do duhej të ishte fe më vete”. Ajo theksoi se i pëlqen ideja që energjitë dhe shpirtrat mund të udhëheqin njeriun në rrugën e tij.
Edhe para performancave, ajo shmang kaosin që zakonisht shoqëron artistët: “Disa duan muzikë të fortë ose marrin shot-e… Unë jo. Jam shumë sportive: bëj ushtrime dhe dëgjoj muzikë relaksuese. Çdo gjë është super e qetë.”
Rita ka folur edhe më parë për ndikimin që ka pasur te ajo një fallxhore. “Më tha: ‘Jeta jote është si një grusht rëre… Varet se si e mban në dorë.’” Këngëtarja tha se ky mesazh i ndryshoi mënyrën e të jetuarit: “Dikur nxitohesha shumë… Tani përpiqem të eci më ngadalë. Reagimet impulsive zakonisht janë ato që të sjellin pendesë.”

