Agjërimi me ndërprerje është kthyer në një nga mënyrat më të përhapura për të rënë nga pesha – disa e përdorin si dietë afatshkurtër, të tjerë e kanë bërë pjesë të stilit të jetesës. Por një studim i ri sugjeron se kjo metodë e famshme nuk është aspak më efikase sesa thjesht të zvogëlosh marrjen ditore të kalorive.
Sipas një meta-analize të publikuar në prestigjiozen British Medical Journal (BMJ), dhe të cituar nga Daily Mail, studiues ndërkombëtarë analizuan rezultatet e 99 provave klinike të rastësishme, me mbi 6,500 të rritur, mesatarisht 45 vjeç. Konkluzioni ishte i qartë: përfitimet e agjërimit me ndërprerje janë “të parëndësishme” kur krahasohen me një dietë klasike me reduktim kalorish.
Në studim u krahasuan disa forma të agjërimit: dritarja 8-orëshe, dieta 5:2 (pesë ditë ushqim normal dhe dy ditë kufizim të madh kalorik), si edhe agjërimi me ditë alternative.
Rezultatet treguan se vetëm agjërimi me ditë alternative pati një efekt paksa më të theksuar, me rreth 1.29 kg humbje peshe shtesë krahasuar me dietat e zakonshme. Por edhe ky rezultat nuk arriti pragun minimal të konsideruar klinikisht domethënës – 2 kilogramë.


