Rita Ora ka befasuar ndjekësit me një deklaratë krejt të papritur, duke pohuar se beson se mund të ketë “fuqi mistike” të trashëguara nga familja. Gjatë një interviste në podcastin Happy Hour Overheard, këngëtarja 34-vjeçare tha me bindje se gjyshja e saj ka qenë “100% shtrigë”, ndërsa ajo vetë mendon se ka trashëguar të njëjtin “gjen”.
“Gjyshja ime ka qenë 100% shtrigë. Për mamin nuk jam shumë e sigurt, por unë besoj se e kam patjetër”, tha Rita, duke shkaktuar reagime të menjëhershme në rrjetet sociale.
Ajo e përshkroi edhe martesën e saj si një përvojë me ngjyrime shpirtërore, ndërsa tregoi se prej vitesh praktikon joga dhe astrologji, të cilat e ndihmojnë të ndihet e balancuar emocionalisht. Këngëtarja rrëfeu se ka edhe një ritual personal: lexon tarot çdo javë dhe beson se energjitë pozitive mund të ndikojnë realisht në jetën e saj.
“Në fund të ditës, mjafton që diçka të të japë shpresë… dhe aq të duhet”, shtoi ajo.
Rita kujtoi edhe një takim të hershëm me një fatthënëse, e cila i ka lënë një mesazh që i ka ndryshuar mënyrën si e sheh jetën: “Më tha se jeta ime është si një grusht rëre dhe gjithçka varet nga mënyra se si e mbaj.” Sipas saj, ky këshillim e ka mësuar të lëvizë më ngadalë dhe të mos veprojë me impuls, duke shmangur vendime të cilat më pas mund t’i pendohesh.
Deklaratat e Rita Orës kanë ndezur diskutime të shumta, mes kuriozitetit, humorit dhe mbështetjes nga fansat që e duan këngëtaren për sinqeritetin e saj karakteristik.
