Mbrëmë, teksa Italia u përlot nga vdekja e ikonës së muzikës dhe jetës publike Ornela Vanonit, në Shqipëri festohej Kënga Magjike, finalja e edicionit të 25-të të saj.
◦ Këngë të reja, artistët më të mirë Shqiptarë u ngjitën në skenë për të sjellë krijimet e reja; nga Manjola Nallbani, Mira Konçi, Juliana Pasha, që edhe fitoi kupën e këtij edicioni, Liljana Kondakçi, Young Zerka, artistët e së ardhmes të rinj me një pasion dhe energji; Auron Deva, Lore, Ines Naziri, Jet, etj., sollën ato që do të jenë hitet e këtij viti. Ashtu sikundër përherë Kënga Magjike ka bërë! Përtej këtij cikli tashmë të pritshëm, do të veçoja 2 momente nga spektakli; memorien që Ardit Gjebrea u bëri emrave të muzikës shqiptare dhe mysafirëve të këtij Festivali, nga Anida Take, Gaqo Çako, Tonin Tërshana, Sherif Merdani, Zef Deda, Albert Vërria, Hajrie Rondo, Avni Mula, Ibrahim Madhi, Nexhmije Pagarusha, tek Francesk Radi, Agron Berisha, Kujtim Prodani, e tek më të rinjtë që u ndanë para kohe nga jeta por që na dhanë kaq gëzim e ngjyra jete me këngët e tyre; Dr Flori, Gent Demaliaj, Hueda El Saied, Ergi Dini, Emi, Adelaida Xhemani!
Fjalët e zgjedhura me kujdes, mesazhi i bukur ishte kujtesa, respekti, vlerësimi i gjithkohshëm që duhet të kemi për artistët, që na kanë lënë… fizikisht, pasi arti i tyre është trashëgimia dhe frymëzimi i duhur për "pure art", unik, i dlirë, i vërtetë dhe 100 për qind shqiptar!

Momenti i dytë ishte dueti i Ardit Gjebrea me vajzën e tij, kantautoren Anna Gjebrea, i cili në mos ishte edhe qershia mbi tortë e këtij edicioni të Kënga Magjike.

"E diela Shqiptare", programi hit i televizionit Klan, aq popullor sa e ka bërë Arditin, aq edhe i ka bërë një "dëm" atij! I ka vjedhur artistin, kantautorin, që aq shumë e duam. Anna na e bëri këtë dhuratë mbrëmë dhe rikthehu në muzikë Arditin në një duet fantastik, të krijuar prej saj dhe interpretuar "live" me piano, në skenën e Pallatit të Kongreseve, shoqëruar nga zërat e artistëve të rinj të muzikës shqiptare.
(Ky krijim ishte njëherësh plotësimi më i mirë i paketës muzikore, që Anna ofroi në këtë edicion përtej prezantimit.)

Ndërkohë, falë këtij dueti pamë edhe dy njerëz në skenë që nuk ishin as prezantuesi, as kantautori, as producenti i suksesshëm, por babai i ndjeshëm, i zhveshur nga profesioni, që me zërin e vërtetë dhe lotët e fshehur treguan atë marrëdhënie unike mes një babai dhe vajze, të pakrahasueshme dhe të pastër. Nga ana e saj Anna nuk mund të mos shkrihej në lot dhe për herë të parë në 3 netë spektakli dhe 10 javëve prezantim të Kënga Magjike, la mënjanë Mister Arditin dhe iu drejtua si baba; Je babi më i mirë në botë! Fjalë, që vetëm prindërit i kuptojnë!

Kënga Magjike mbaroi, bashkë me të 25 vite histori, këngë, muzikë, artistë dhe momente të bukura, që i ka falur jetës së çdo njeriu... Ky jubile do të kujtohet gjatë për duetin unik, që u ngjiz para syve të publikut Anna - Ardit Gjebrea! E siç thotë një tjetër artist miku im, "këtij vendi mbase shumë s’i kemi dhënë, po të paktën nuk i kemi marrë"! Rasti i Ardit Gjebreas është i veçantë, që i ka dhënë shumë Shqipërisë; me artin, muzikën, zërin, spektaklin, krijimtarinë unike, mbështetjen e artistëve të konsoliduar e për më shumë atyre të rinj; e për të mos thënë faleminderit, atëherë kur nuk do ketë më nevojë, le të jemi mirënjohës, falenderues dhe vlerësues në momentin e duhur, kur ngjarja ndodh! Dhe ajo ndodhi! Dhe vulosi një histori çerek shekulli të pakrahasueshëm, që ka pasuruar jetën personale dhe shpirtin e një populli!
