Në 2 vjetorin e ndarjes nga jeta të aktorit të madh të humorit shqiptar, Zef Deda, djali i tij, aktori Julian Deda, ka ndarë një mesazh prekës në rrjetet sociale.
“Dy vjet pa ty zemra ime, heroi im. Gjithmonë do jesh më i miri dhe njerëz si ti janë gjithmonë në paqe me Zotin. Të dua shumë, Babo,” shkruan ai, duke shoqëruar fjalët me zemër e lutje.
View this post on Instagram
Zef Deda, i cili u nda nga jeta më 24 nëntor 2023, mbetet një nga ikonat e humorit shqiptar. I njohur si një ndër komedianët më të dashur dhe më të talentuar, ai është cilësuar shpesh edhe si “Charlie Chaplin i Shqipërisë” për aftësinë e tij të rrallë për të sjellë buzëqeshje dhe emocione te publiku.
Figura e tij mbetet e paharrueshme për breza të tërë që u rritën me batutat, interpretimet dhe rolet e tij plot ngrohtësi dhe finesë artistike. Kujtimet për të vijojnë të jenë të gjalla jo vetëm te familjarët, por edhe te publiku shqiptar, që vazhdon ta vlerësojë si një nga gurthemilet e humorit në vend.
Mesazhi i Jul Deda-s në këtë përvjetor rikujton dashurinë e madhe mes tyre dhe njëherazi nderon trashëgiminë artistike që Zef Deda la pas.
