KreuCelebrity

Marco Alberti në Shqipëri, ambasadori italian përtej protokollit!

 

Nga Brunilda Gorovelli 

Viti 2026 nisi me një intervistë të ngrohtë me ambasadorin italian, Marco Alberti dhe një realizim seti fotografik me gjithë familjen e tij. Të ndodh rrallë të takosh një ambasador, e mbi të gjitha familjarisht, në të cilin takon zyrtarin, babain, bashkëshortin, misionarin, gjë për të cilën është zotuar që në marrje të mandatit. Teksa po i prisja për të shkuar në studion fotografike, pashë së largu një familje sportive, e cila qetësisht e kishte marrë në këmbë ardhjen për aty. Në këtë moment takova ambasadorin përtej daljeve publike dhe statusit diplomatik. Marco Alberti është njeriu që ka jetuar në katër kontinente, e së fundmi ndodhet në detyrën e diplomatit në Shqipëri, e cila sipas tij është në lëvizje të pandalshme, ku ritmi i transformimit ndjehet në çdo rrugë të Tiranës dhe në çdo hap të afrimit drejt Europës.

Zoti Ambasador, si ka qenë viti i parë i mandatit tuaj në Shqipëri? 

Interesant. Të shumta nismat e realizuara e shumë të tjera ato të programuara. Një takim ndërqeveritar i nivelit të lartë, disa marrëveshje të nënshkruara, një Itali që rrit praninë e saj në Shqipëri dhe një Shqipëri që i afrohet më shumë BE-së. Gjeta një vend në transformim, me plot surpriza, sfida e me një të ardhme për të ndërtuar. 

Cilat janë përparësitë kryesore të mandatit tuaj si Ambasador në Shqipëri? 

Të jap kontributin tim në mënyrë që miqësia jonë të shndërrohet në një partneritet strategjik. Marrëdhënia jonë është një marrëdhënie e privilegjuar, por ka ende shumë potencial të pashfrytëzuar, ka ende shumë për të bërë. Një ndër përparësitë e Italisë është të shoqërojë Shqipërinë në negociatat drejt anëtarësimit në BE, duke mbështetur reformat e nevojshme për arritjen e këtij qëllimi. Do ta bëjmë këtë duke realizuar projekte, jo vetëm duke vendosur përpara nesh objektiva. Jemi gjithashtu të angazhuar të sjellim në këtë vend ndërmarrje të mëdha italiane në sektorët e energjisë, mbrojtjes, shëndetësisë, infrastrukturave, etj.. Nevojitet, gjithashtu, të fuqizojmë diplomacinë kulturore që mendoj se është thelbësore. 

Ju keni jetuar e punuar në vende të ndryshme të botës. Çfarë keni bërë tuajën nga këto vende? 

Nga Argjentina, pasionin; nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës rëndësinë e parashtrimit të objektivave; nga Kazakistani, mikpritjen. Prej secilit vend, bindjen se të udhëtosh nuk do të thotë vetëm të lëvizësh nga një vend në tjetrin, por të takosh njerëz, shpirtra, realitete, kultura. Një shkollë përulësie që na pasuron. 

Çfarë e bën Tiranën një qytet të veçantë? 

Të jetosh në vende që janë “në transformim” është një privilegj. Tirana është një laborator, një kantier idesh e projektesh, një qytet jo i rëndomtë. Nuk i “ofrohet” të gjithëve, por vetëm atyre që dëshirojnë ta zbulojnë atë. 

Ka ndonjë veçori të kulturës shqiptare që ju ka bërë më shumë përshtypje? 

Rëndësia e familjes, për shembull, si një bërthamë “gjeneruese” dhe “mbrojtëse” e individit. Krenaria për identitetin, forca e një populli që ka vuajtur shumë. 

Vitet e fundit janë të shumtë shtetasit italianë që zgjedhin Tiranën për të jetuar, gjithashtu shumë ndërmarrje kanë vendosur të ushtrojnë veprimtarinë e tyre këtu. Kjo falë qasjes suaj ndaj “diplomacisë ekonomike” apo thjesht për faktin se ndihen mirë në Shqipëri? 

Jo, asnjë meritë e imja. Ndërmarrjet shkojnë aty ku gjejnë mundësi më të mira e hasin rreziqe më të vogla, ndërsa njerëzit, sot, lëvizin lirisht e vendosen aty ku gjejnë kushte jetese më të mira. Për shumëkënd Shqipëria është një zbulim shumë i bukur dhe një vend mikpritës. Sigurisht, kjo nuk vlen për të gjithë: ka edhe nga ata që hasin vështirësi e probleme. 

Çfarë vlerësoni më shumë në marrëdhënien Shqipëri-Itali? 

Shpesh kuptohemi edhe pa folur, pasi kemi të njëjtin “kod” njerëzor. Ndryshe nga çdo vend tjetër. 

Shprehja “nomad profesionist” ju ka shoqëruar që prej lindjes: fati? Besoni te fati? 

Besoj te fati e jo te rastësia. Qenia njerëzore kërkon të kuptojë gjithçka. Ndërkohë që na duhet të mësojmë të interpretojmë shenjat që jeta na rezervon. Si nomadët: për ta të udhëtosh do të thotë të jetosh, sepse duke udhëtuar je vetvetja. Kjo vlen edhe për mua. 

Gjatë udhëtimeve tuaja të shumta, për punë e jo vetëm, cilën cilësi keni zbuluar te vetja juaj? 

Kureshtjen që shpalos mrekullitë. Kush jeton duke udhëtuar nuk mund të mos ketë kureshtje, pasi vetëm kështu mëson vazhdimisht. Siç me të drejtë ka thënë dikush, miliona njerëz kanë parë një mollë të bjerë, por Newton-i ishte i pari që, duke e vëzhguar, shtroi pyetjen: “Përse?” 

“Ajo çka druaj është mërzia, jo lodhja”: si ia dilni ta menaxhoni ? 

Lodhja fizike e ka një domethënie, na tregon sa shumë kemi punuar. Unë e gjej çlodhjen te leximi. Ndonjëherë librat, sidomos disa prej tyre, të ndihmojnë të shkarkosh disi lodhjen. Ndërsa mërzia më frenon. Por në Shqipëri është thuajse e pamundur të mërzitesh, ndaj jam i kënaqur. 

Duket se Italia dhe Shqipëria kanë shumë ngjashmëri mes tyre, edhe në mënyrën se si politika i drejtohet publikut; i referohem këtu, për shembull, daljeve të përbashkëta Rama–Meloni. Ç’mendim keni për këtë? 

Mendoj se janë dy udhëheqës të cilët gjenden mirë duke punuar së bashku, pavarësisht rrymave politike të ndryshme të cilave u përkasin. Nuk është e thënë. Nga ana tjetër, edhe komunikimi ka ndryshuar: është më i shpejtë dhe i drejtpërdrejtë. Kjo vlen edhe për diplomacinë: kohë më parë, një intervistë e tillë ishte e pamundur të realizohej. Sot ndërveprimi me njerëzit është shumë i rëndësishëm, është ‘people-to-people diplomacy’: unë besoj në këtë. 

Ju keni lindur në Afrikë, jeni rritur në Itali, keni punuar në katër kontinente: ka ndonjë vend ku ktheheni shpesh? Përse? 

Në Itali, ku edhe jam rritur. Secili, një ditë, dëshiron të kthehet në shtëpi. Dhe shtëpia është vetëm njëra. Të tjerat janë vetëm vende në të cilat jetojmë, na lidhin kujtime të rëndësishme, përvoja të paharrueshme. Por nuk janë rrënjët. 

Bashkëshortja juaj është argjentinase: jeni njohur gjatë ushtrimit të detyrës suaj në katër kontinentet? 

Po. Misioni im i parë jashtë vendit ka qenë në Buenos Aires. 

Çfarë ju ka mësuar juve si burrë, bashkëshort dhe diplomat, bashkëshortja juaj? 

Prania e saj, dhe zgjedhjet që ajo ka bërë, më kujtojnë përgjegjësitë që kam ndaj saj dhe fëmijëve tanë. Kur një bashkëshort, një prind, një profesionist i kërkon shumë atij që e ndjek, atëherë duhet të jetë i gatshëm të japë shumë. Madje edhe duke sakrifikuar pjesë nga “hapësira” e tij për t’ia dhënë atij që pranon ta ndjekë, shpesh herë pa e kuptuar qartë vështirësinë e kësaj jete prej nomadi. 

Ka hasur ajo vështirësi në përshtatjen me stilin tuaj të jetesës? 

Ky stil jetese nuk është më “i imi”. Është bërë “i yni”, pjesë e zgjedhjeve tona. Vështirësitë ekzistojnë, por shpesh herë janë një mundësi për të forcuar dhe pasuruar marrëdhënien tonë. Argjentinasit nuk janë një popull nomad. Bashkëshortja ime vuan kur i duhet të largohet nga një vend, por më pas afeksionohet më shumë se unë. 

Po fëmijët tuaj, si i shohin transferimet e vazhdueshme? 

Janë tre dhe janë të ndryshëm nga njëri-tjetri. Njëri i vuan më shumë ndryshimet, tjetri i sheh si një marinar që mezi pret të niset. Kam përgjegjësinë t’i shoqëroj në këtë rrugëtim, në mënyrë që të mos lëndohen e të marrin nga çdo vend mundësitë që u ofrohen. 

Kanë ndonjë vend të preferuar? 

Ndoshta detin e shtëpisë, në Itali, sepse e identifikojnë me verën, pushimet, ditët me gjyshërit dhe kushërinjtë. 

Krahas të qenit një diplomat ju jeni edhe baba. Çfarë përpiqeni t’u përcillni fëmijëve tuaj? 

Mirënjohjen për atë çka kanë; pasionin për atë që bëjnë; kureshtjen për të zbuluar të ardhmen. Përpiqem t’u kujtoj të vërtetën e një shprehjeje të poetit të madh italian, Giuseppe Ungaretti: “Synimi është nisja”. Kjo shprehje do të vlejë gjithmonë, pavarësisht se çfarë do të bëjnë në jetë. 

Sapo përshëndetëm 2025. 2026 ju gjeti në Itali? Ku e festuat Vitin e Ri? 

Ishim në Argjentinë, me familjen e bashkëshortes sime dhe disa miq. Në Buenos Aires, fëmijët e mi ndihen mirë. Ndoshta, pa e kuptuar, “e ndiejnë” se i përkasin këtij qyteti. 

Kishte ndonjë ushqim jo italian apo jo argjentinas në tryezën tuaj? 

Po. Një pjesë e familjes së bashkëshortes sime është me origjinë libaneze. Kunata ime është shefe kuzhine dhe ka risjellë disa receta të stërgjyshes. Ushqim antik e njëkohësisht shumë modern. 

Traditat italiane, sidomos në kuzhinë, janë pasuruar me kultura të ndryshme. Makaronat (italiane) dhe mishi (argjentinas) janë gjithmonë të pranishëm. Por provojmë gjithmonë ushqime të reja. Eksperimentojmë. Herë funksionon e herë jo, dhe këtë na e tregojnë fytyrat e fëmijëve tanë. 

Njihni ndonjë ushqim shqiptar? Cili ju pëlqen më shumë? 

Byreku, sepse është i thjeshtë. Petë dhe jeshillëqe. Shpesh recetat e sofistikuara nuk të lejojnë të vlerësosh cilësinë e përbërësve. Ndërsa kuzhina e vërtetë është e thjeshtë. Byreku më kujton një ushqim të shtëpisë “crescione alle erbe”. Me jeshillëqe të kopshtit. 

Në rezidencën tuaj gjenden skulptura, piktura që ju shoqërojnë ngado, pavarësisht nga vendi në të cilin punoni? 

Disa sende na shoqërojnë nëpër botë, sepse nomadët, të cilët duhet të ndryshojnë gjithmonë shtëpi, lidhen me sendet personale, dhe kanë nevojë t’i kenë rreth vetes. Por një pjesë tjetër e shtëpisë, edhe këtu në Shqipëri, i përket ekspozitave të artit vendas, pasi arti, piktura dhe skulptura në këtë rast, të ndihmojnë të njohësh popujt, kulturat, njerëzit. 

Cilat janë marrëveshjet dhe objektivat për vitin 2026? 

Më 13 nëntor në Romë, në kuadër të takimit të nivelit të lartë Itali-Shqipëri, u nënshkrua një marrëveshje ndërmjet dy Qeverive për riorganizimin e bashkëpunimit dypalësh afatmesëm dhe afatgjatë. U nënshkruan, gjithashtu, edhe 15 marrëveshje në sektorë të ndryshëm, nga ai i ekonomisë në atë të kulturës, nga ai i emergjencave civile në atë të mbrojtjes. Në vitin 2026 do të duhet t’i vëmë në jetë këto marrëveshje , t’i shndërrojmë në projekte, të sjellim këtu ndërmarrje të tjera italiane në sektorë të rëndësishëm industrialë, dhe të promovoja diplomacinë kulturore, duke u përqendruar kryesisht te kinemaja, muzika dhe arti bashkëkohor. Kam në mendje një temë për ta zhvilluar: mozaikun. Mozaiku është një tërësi pllakëzash të ndryshme nga njëra-tjetra, secila e pazëvendësueshme. Mozaiku është një shprehje artistike e jashtëzakonshme. Por jo vetëm: edhe jeta jonë është një mozaik historish, përvojash, takimesh. Shqipëria është një vend-mozaik. Ballkani është një mozaik. Evropa është një mozaik identitetesh dhe kulturash të ndryshme, secila e domosdoshme për të krijuar një bashkësi në harmoni.