Gazetari Elton Tozaj ka folur sërish publikisht për dhunën brutale që përjetoi më 26 dhjetor 2025, duke e lidhur sulmin me publikimin e materialeve filmike që, sipas tij, ekspozonin lidhje të rrezikshme mes figurave të njohura të ekranit dhe individëve të botës së krimit.
Tozaj rrëfeu se mbrëmjen e ngjarjes ishte takuar me dy persona që i njihte, pa e imagjinuar se takimi do të përfundonte në një akt dhune ekstreme. Ai thotë se nga momenti i sulmit nuk mban mend asgjë, pasi humbi ndjenjat nga goditjet e forta.
Duke folur për “News 24”, gazetari theksoi se puna e tij ka një mision të qartë:
“Misioni i gazetarit është të thotë të vërtetën. Showbiz-i në Shqipëri nuk është vetëm argëtim, është gjithçka. Shpresoj që ata që e përdorin për t’u pasuruar, të hetohen”.
Ai shpjegoi se nuk e denoncoi menjëherë sulmin për shkak të një precedenti të mëparshëm, ku sipas tij ishte kërcënuar nga ish-drejtori i Përgjithshëm i Policisë. Tozaj nënvizoi se gjatë gjithë karrierës së tij nuk ka asnjë çështje penale për shkrimet e publikuara.
“Nëse dikush ndjehet i kërcënuar nga deklaratat e mia, le të më hedhë në gjyq. Nuk ka asnjë proces ndaj meje”, u shpreh ai, duke shtuar se personi që ai ka denoncuar ka arritur të kalojë disa barriera policore. “Ai është një nga personat më të kërkuar aktualisht. Pyes: pse nuk e kapin?”, tha Tozaj.
Gazetari foli edhe për reagimet pas dhunës, duke theksuar se ka marrë mbështetje të gjerë nga kolegë dhe figura të showbiz-it, por u shpreh i zhgënjyer nga heshtja e dy kolegeve të tij.
“Nëse do t’u kishte ndodhur atyre, unë do të isha gjendur pranë publikisht dhe fizikisht”, përfundoi ai.

