Kendall Jenner ka folur hapur dhe pa filtra për spekulimet e shumta rreth pamjes së saj dhe ndërhyrjeve estetike, duke pranuar se ndonjëherë edhe vetë e kupton pse njerëzit dyshojnë.
Në podcast-in In Your Dreams With Owen Thiele, supermodelja 30-vjeçare u shpreh se, kur sheh fotot e vjetra të saj, ndonjëherë habitet edhe vetë.
“Do t’i besoja këto teori po të mos isha unë,” pranoi ajo. “Shikoj fotot e mia të vjetra dhe them: ‘Prit pak, vërtet duket sikur kam bërë operacion në hundë.’”
Megjithatë, Kendall ishte kategorike në mohimin e thashethemeve për rinoplastikë.
“Betohem në Zot, në gjithçka që dua, nuk kam bërë kurrë operacion në hundë,” theksoi ajo.
Modelja sqaroi edhe raportin e saj me Botox-in, duke pranuar se nuk ka qenë kurrë plotësisht e bindur nga rezultati.
“Nuk më pëlqeu dhe nuk më pëlqen,” tha ajo. “Ndonjëherë e mendoj, por vetullat e mia janë kaq të drejta dhe kaq afër syve, sa që në fakt e shijoj shumë lëvizshmërinë që kam.”
Deklaratat e saj erdhën pasi u pyet për lëkurën, një temë delikate për Kendall, e cila prej vitesh ka luftuar me aknet.
“Gjërat e mia të preferuara janë trajtimet për rigjenerimin e lëkurës,” u shpreh ajo, duke përmendur microneedling me PRP, i njohur si “vampire facial”, si një nga procedurat kryesore që përdor për shenjat e akneve.
Kendall zbuloi gjithashtu se ka bërë injeksione PRP, ku plazma e marrë nga gjaku i vetë personit përdoret si një lloj mbushësi “natyral”.
“E kam injektuar te rrudhat rreth syve ose vijat e buzëqeshjes, por kjo është e vetmja gjë që kam injektuar ndonjëherë,” shpjegoi ajo.
Kur moderatori e akuzoi për “gënjeshtër”, Kendall reagoi menjëherë:
“Betohem në Zot. Jo. Kam bërë vetëm dy herë baby Botox në ballë. Kaq. Është e vetmja gjë që kam injektuar ndonjëherë.”
Rrëfimi i saj vjen në një periudhë kur familja Kardashian-Jenner ka qenë më e hapur se kurrë për ndërhyrjet estetike, me Kris Jenner që ka përmendur hapur lifting-un e fytyrës, Kylie Jenner që ka pranuar një operacion gjoksi dhe Khloé Kardashian që ka renditur procedurat e saj në rrjete sociale.
Megjithatë, Kendall thekson se nuk është aty për të bindur askënd.
“Unë jam këtu vetëm për të treguar të vërtetën time,” përfundoi ajo.
