Aktori i njohur turk, Can Yaman, ylli i serialeve të suksesshme turke që tanimë kanë pushtuar dhe Italinë, është arrestuar natën e kaluar gjatë një operacioni masiv antidrogë në Istanbul, që ka përfshirë 9 klube nate dhe VIP-e të tjera të njohura.
Operacioni, i drejtuar nga Prokuroria e Stambollit për Krime të Kontrabandës, Drogës dhe Ekonomike, përfshiu 9 klube nate në të cilat policia gjeti dhe sekuestruar drogë. Në këtë aksion u ndaluan gjithsej 7 persona, përfshirë aktoren Selen Gorguzel, si dhe pronarë dhe menaxherë të lokaleve ku u sekuestruan lëndë narkotike.

Sipas mediave turke, Can Yaman u gjet me disa doza droge në një nga klubet e kontrolluara. Ai, së bashku me të tjerët e arrestuar, do t’i nënshtrohet testeve të gjakut në Institutin e Mjekësisë Ligjore për të përcaktuar se çfarë substance dhe kur janë përdorur.

Ky hetim vjen pas disa javësh kontrollesh intensive, gjatë të cilave më shumë se 20 VIP-e, personazhe të showbiz-it dhe gazetarë janë përfshirë në operacion. Autoritetet po hetojnë përdorimin dhe trafikimin e drogës në radhët e të famshmëve të Turqisë.
Fansat e Can Yaman-it në Itali dhe Turqi janë në shok, pasi aktori i njohur për rolin e tij të fundit në serialin Sandokan dhe për njohuritë e thella të gjuhës italiane, tani ndodhet në qendër të një skandali të madh.
Operacioni i natës së kaluar nuk ka lënë pa prekur as pronarët dhe menaxherët e klubeve, ndërsa autoritetet vazhdojnë hetimet për të zbuluar të gjitha lidhjet e mundshme të VIP-eve me trafikun dhe përdorimin e drogës.
Do të ketë zhvillime të tjera, ndërsa fansat dhe mediat presin rezultatet e testeve të gjakut dhe vendimet e prokurorisë për yllin turko-italjan.
