Make up artistja e njohur Besa Muça ka hapur zemrën në emisionin “Rudina”, duke ndarë një histori që përzien dhimbjen e humbjes me forcën dhe dashurinë e pakushtëzuar të një nëne. Besa ka kaluar një nga sfidat më të mëdha që mund të përjetojë një prind: humbjen e djalit të saj, Inrit, i cili u nda nga jeta në moshën 18-vjeçare pas një beteje të gjatë me shëndetin.
Inri lindi me spektrin e autizmit dhe, më vonë, u diagnostikua edhe me epilepsi. “Kalonte 20-25 kriza në ditë”, tregoi Besa ndërsa përlotej, duke kujtuar morinë e ilaçeve që merrte djali. Ditët e fundit të tij shënonin përkeqësim, dhe lajmi i tmerrshëm erdhi përmes një telefonate nga ish-vjehrra e saj: Inri ishte i shtruar në spital dhe pas dy ditësh humbi jetën.
Besa rrëfeu se largimi i djalit në vitin 2024 e ka lënë me një dhimbje të pamatshme, por edhe me kujtime të paharrueshme: “Ai më ka mësuar çfarë është forca, durimi dhe të kuptoj çdo situatë ashtu siç vjen”, tha ajo.
Historia e Besës është një rrugëtim i gjatë sfidash që filloi që në shtatzëninë e saj. Ajo humbi nënën kur ishte 8 muajshe shtatzënë, një dhimbje që e detyroi të gjejë forcën te krijesa që mbante brenda vetes. Kur Inri lindi, solli shpresë dhe dritë në jetën e saj, por me zhvillimet e tij të veçanta, sfidat nuk munguan. Mjekët identifikuan vonesa në zhvillim që më vonë rezultuan në autizëm, dhe më pas, në moshën 12-vjeçare, Inrit iu shfaq epilepsia, duke e detyruar Besën të përballej çdo ditë me 20-25 kriza.
Në rrëfimin e saj emocionues, Besa kujtoi gjithashtu divorcin dhe vështirësitë që erdhën nga kjo periudhë: “Një diagnozë e tillë ose e forcon ose e ndan çiftin”, tha ajo, duke treguar se edhe pse marrëdhënia me ish-bashkëshortin nuk funksionoi, ata ishin gjithmonë pranë Inrit.
Besa Muça përfundon me një mesazh të fortë dhe human: edhe pse humbja është e madhe, kujtimet dhe dashuria për fëmijën e saj mbeten gjithmonë me të: “Ai është engjëlli im mbrojtës, thjesht nuk është prezent fizikisht, por e di që është me mua”.
Një rrëfim që tregon forcën e një nëne dhe dashurinë pafund që nuk shuhet as nga humbjet më të mëdha.
