KreuCelebrity

Madonna surprizon Coachella-n pas një dekade: duet i papritur me Sabrina Carpenter

Madonna surprizon Coachella-n pas një dekade: duet i papritur me Sabrina
Pas një mungese 10-vjeçare, Madonna është rikthyer në skenën e Coachella-s me një paraqitje që askush nuk e priste. Ikona e muzikës iu bashkua papritur Sabrina Carpenter gjatë performancës së saj më 17 prill, duke ndezur atmosferën në festival.

Ajo u shfaq në mes të setit, në një moment tranzicioni mes këngëve, dhe bashkë me Sabrina-n sollën në skenë dy prej hiteve më të njohura të saj, “Vogue” dhe “Like a Prayer”, duke elektrizuar publikun.

Surpriza nuk mbaroi me kaq: dy artistet prezantuan edhe një këngë të re, që mendohet të jetë pjesë e projektit të ardhshëm të Madonnës, i cili pritet të vijë si vazhdim i albumit të saj të suksesshëm “Confessions on a Dancefloor”.

Gjatë performancës, Madonna ndau edhe emocionet e rikthimit në këtë festival, duke kujtuar daljen e saj të parë rreth dy dekada më parë dhe duke e cilësuar këtë moment si një “rreth të mbyllur” në karrierën e saj.

Kjo paraqitje shënon rikthimin e saj të parë në Coachella që prej vitit 2015, kur performoi së bashku me Drake.

Në aspektin vizual, Sabrina Carpenter u shfaq me një look të bardhë elegant, ndërsa Madonna zgjodhi një stil më të theksuar në nuanca vjollce. Madje, ajo nuk i kurseu as batutat, duke bërë shaka për diferencën e gjatësisë mes saj dhe artistes më të re.