KreuCelebrity

Vikena Kamenica: Rrugëtimi im si në ëndrra!

Nga Athina Lolo

Fotografia: Andis Rado

Vikena Kamenica është nga ato artiste me një identitet të qartë në skenë. Përqafon muzikën e lehtë, atë jazz dhe është një nga mezzosopranot më të mira shqiptare. Teksa ka provuar në rrugëtimin e saj momente nga më të bukurat apo edhe më pak, është e kënaqur që ëndrrat e saj janë realizuar dhe për më tepër që vijon të ndjejë ende emocionin e publikut në skenë, njësoj si në ditën e parë!

Vikena, të shohim në një formë fizike shumë të mirë. Ke një sekret, ke një rutinë të re?

Shumë faleminderit! Kjo ishte një nga ato sakrificat që i kam dhënë vetes në këtë gjashtëmujorin e fundit për të sjellë veten në formë, për të kthyer atë vitalitetin që mbase na e la si pasojë një lloj plogështie Covidi. Kështu që ajo pesha filloi të bëhej pak shqetësuese, u kthye në mision për ta hequr dhe kjo situatë më ka dhënë një energji shumë të mirë.

Vikena, kur e kuptove që muzika do të ishte rruga jote?

E rritur mes artistësh, familja ime, të dy këngëtarë, prindërit, halla gjithashtu, një rreth i tërë muzikantësh, unë nuk kisha rrugë tjetër!

Momenti i parë në skenë që nuk do të harrosh kurrë?

Shumë e vogël, 13 vjeçe. Ka qenë një dalje e parë për të kënduar me një orkestrinë ‘live’ nën drejtimin e Aleksandër Lalos, në ato vite kur ekzistonte vetëm festivali me playback. Kam kënduar disa këngë të huaja për disa net rresht dhe që nga ai moment unë nuk hoqa dorë kurrë nga muzika ‘live’.

Si ka evoluar muzika jote përgjatë viteve?

Në fakt nuk është se jam bërë skllave e tregut, sepse automatikisht edhe tregu gjatë viteve që unë kam zhvilluar karrierën time ka evoluar. Muzika klasike është ajo që më mbajti në ato shinat e forta siç e tillë është, si kompozitorët kanë shkruar veprat e tyre. Dhe ti je fanatik i asaj çka është shkruar dhe me atë lloj disipline unë jam rritur. Më pas muzika jazz ishte një moment që i qëndrova shumë besnike, por pa dalë kurrë nga vetja ime, pa dalë kurrë nga ai formati që i krijova vetes dhe pse ndiqja një rrugë klasike. I jepja një energji asaj që jo shpesh ndodhte ta kishte, siç muzika serioze e ka në një farë mënyre, po unë u mundova të jepja identitetin tim dhe jam munduar ta ruaj dhe ndjehem e kënaqur, por dhe krenare kur njerëzit e bëjnë diferencën dhe kur vijnë në teatër që thonë duam të të dëgjojmë ty, duam energjinë që jep ti në skenë. Kështu që evolimi ka qenë brenda zhvillimit tim si artiste.

Çfarë të frymëzon të ngjitesh në skenë dhe të interpretosh?

Skena. Skena është një emocion shumë i madh. Është të marrësh frymë, të ndihesh e gjallë, të jetosh, për mua është gjithë ekzistenca e emocioneve nga më të voglat deri tek ato të mëdha. Jeta të rrethon me shumë dashuri patjetër dhe ka marrë dashurinë e plotë nga familja që kam pasur dhe që kam, ajo që kam krijuar e re, por skena më jep vërtetë atë oksigjen që çdo artist kërkon!

Të emocionon publiku apo duartrokitjet të janë bërë rutinë tashmë?

Ua, asnjëherë! Nuk quhen rutinë. Është një emocion më vete energjia e publikut, të cilin unë e ndjej sa futem në skenë, sa vë atë hapin e parë. Sikur 800 veta, 1000, 1500, 80, apo 20 veta të jenë, është vetëm ai momenti që hyn në skenë dhe ndjen të gjithë energjinë. Janë sytë që të shohin ty. Janë ato duartrokitje që të presin pa filluar performanca jote. Është gjithmonë një emocion që unë them nuk krahasohet me asnjë gjë dhe nuk shkëmbehet me asgjë.

Sa e vështirë është sot për një artist që të ruajë identitetin e tij në muzikë?

Në kohën e AI është shumë e vështirë, sepse është për të qeshur dhe për të qarë. Sa herë e mendoj nëse do të fillonte karriera ime në këto vite, vërtetë do të ishte një luftë shumë e madhe për të ndërtuar identitetin tënd, inteligjenca artificiale që është tashmë që të konkurron. Nuk është se ti ke një konkurrent të gjallë, por duke filluar që nga aplikacionet që dalin, ato gjërat fare bazike që gjenden në telefon, edhe te ty që nuk je një profesionist, profesionisti po që mund t'i marrë dhe mund t'i përdori. Për çdo artist në këto vite të inteligjencës artificiale nuk është e lehtë. Është e vështirë. Mund të them nga më të vështirat e të gjitha kohërave.

Ka pasur ndonjë kohë që ke menduar të heqësh dorë?

Ka pasur. Artisti kalon shumë shpesh në këto momente dobësie. I bazuar në frymëzim, i bazuar në emocione në atë moment që të preken ato ndjenja që janë aq brishta, sepse konsumi bëhet shumë i madh ndër vite, emocionet e një artisti bëhen dhe shumë të brishta. Është si ato telat e një violine që kur përdoren shumë, është ai meraku që mbase me diçka të tepruar dhe mund të këputen, sepse kanë një konsum akoma dhe më të madh. Kështu që emocioni është i tillë për artistin dhe ndodh. Është një gjë kalimtare, pasi Shqipëria të fut në ca presione që mbase s'janë fare as për artin. 
Çfarë këshille do t'i jepje vetes tënde të re që sapo kishe filluar muzikën?
Të them akoma më shumë kërkuese po, sepse them në atë moshë po të kisha kërkuar më shumë do të realizoja më tepër. E vështirë është sepse sa herë them nuk jam pishman për asgjë, nganjëherë them kam pasur mundësi për më tepër, për të realizuar vetë Vikena dhe mbase këtë të kërkonte akoma më tepër nga vetja, sepse do t'ia dilte akoma më shumë.

Vajza jote ka trashëguar diçka nga muzika?

Ajo ka një shpirt artisti. Ajo është fëmijë i dy muzikantëve, sepse edhe im shoq, babai i saj është muzikant prej 25 vitesh në Teatrin e Operës, ka tamam atë paketën e plotë, por duke qenë aq e ndjeshme jo, ne nuk e kemi afruar shumë sepse arti i vërtetë të kërkon një lloj force që brishtësinë e prek shumë kollaj dhe e vret shumë kollaj. Kështu që Krista ka një shpirt shumë të bukur. Do ta shohë artin në formën e saj, mënyrën se si ajo do të dojë, çdo zgjedhje që ajo do të bëjë, se është akoma e vogël, ne do të jemi përkrahës të saj për çdo gjë që ajo do të dojë në jetë. Dhe kjo është vazhdimi i jetës sonë. Edhe pse mbase s'mund të jetë në skenë apo me muzikën, por kuptimin e vërtetë do ta ketë aty, kur ne të jemi suporti më i rëndësishëm për vajzën tonë, për të vazhduar ajo çka do të dojë në jetë, që ta shijojë dhe vërtetë të gjejë pasionet e saj. Ne jemi shumë që të përkrahim pafund pasionet që t'i mbushin asaj shpirtin.

Cili është raporti yt me të, tani që është në adoleshencë?

Jemi shoqe dhe jam shumë e lumtur që e them këtë fjali. Ka ardhur ky momenti që të flasim bashkë, të jemi përballë njëra-tjetrës, të flasim për shumë e shumë gjëra. Ndihem kaq me fat ndonjëherë se ndonjëherë bëhesha xheloze për Erikun, se siç e ka vajza me babain që kanë marrëdhënien e tyre. Thoja “ua sa të bukur e kanë këtë marrëdhënie këta që e gjejnë”. Jo tani është momenti që shumë gjëra i flet me mua dhe më thotë “dëgjo se babi nuk duhet ta dëgjojë këtë”, dhe jam kaq e lumtur që kemi sekretet tona dhe është shumë e bukur tamam si ato shoqet që kanë ato sekretet e tyre dhe po e jetoj shumë mirë këtë fazë. Është një fazë shumë e bukur.

Vikena, a ke një ëndërr të madhe artistike që nuk e ke realizuar?

Çfarë ëndrrash kam pasur, i kam realizuar, ato të mëdhatë kërkojnë sakrifica shumë të mëdha. Jo se unë s'i kam bërë dhe s'kam dashur t'i bëj, por kam realizuar ato që vërtetë kam ëndërruar. Sa e sa veta më thonë: “Jo po koncertet në stadium”, jo absolutisht jo. Mbase nganjëherë më duken një çik më të mëdha se ç'duhet, me atë emocion që unë dua të përjetoj. Mua më pëlqen shumë që të kem publikun ta ndjej, ta kem afër, ta shijoj dhe jam një nga artistët e skenës që e jetoj publikun vërtetë të gjallë, emocionin e jetoj direkt, kështu që them kjo është një nga ëndrrat që vazhdoj dhe jetoj, edhe jam shumë e kënaqur për këtë fakt.