KreuCelebrity

‘Dashuria e një fëmije plot dhimbje’ Historia e Dhurata Bozhos, nga jeta e saj në shtëpinë e fëmijës drejt rrugës për të arritur ëndrrat e saj

‘Dashuria e një fëmije plot dhimbje’ Historia e Dhurata
Ndodh krejt papritur, që një ditë nga statusi “tokësor”, të kthehesh në një personazh televiziv, jo për imazhin e ekranit, por për historinë. Nuk është hera e parë që ndodh: kur një person në hije të marrë gjithë vëmendjen në një Primetime, siç ndodhi me Dhurata Bozhon. 33-vjeçarja në pak minuta u kthye nga moderatori Ledion Liço në një figurë të komentuar, edhe pse thjesht një figurante televizive, ajo po zbulon disa nga talentet e saj. “Kam qenë pjesë e disa projekteve televizive, por një mikesha ime më ftoi të shikoja “Big Brother” si figurante, pasi merrem edhe me pjesën e reklamave. Doja ta provoja si ishte dhe për mua ndodhi papritur. Nuk e prisja që Ledion Liço të më shfaqte në ekran” – kujton Dhurata, së cilës i pëlqen shumë të jetë pjesë e televizionit, por edhe në botën e modës, pasi ka provuar të eksperimentojë si influencere. Pranon se i pëlqen shumë të kujdeset për pamjen e saj, ashtu me modesti, duke krijuar figurën që do, përmes atyre detajeve të vogla që krijojnë stilin e saj identifikues. “Nuk shpenzoj shumë, por mund të gjej veshje që mund t'i kombinoj. Për mua mjaftojnë pak para, të dish të zgjedhësh dhe t'i kombinosh”.

‘Dashuria e një fëmije plot dhimbje’ Historia e Dhurata
Përtej pasioneve, historia e saj ishte ajo që goditi më shumë publikun, po aq fort edhe mesazhi që dha sesi një vajzë e rritur në shtëpinë e fëmijës mund t’ia dalë dhe të krijojë jetën që do, përtej vështirësive. “Kam dhënë një mesazh: po që ka shpresë. Shpresa është ajo ndjesia përbrenda që të jep atë shtysën që të gjithë duhet t'ia dalin”, thekson ajo.

‘Dashuria e një fëmije plot dhimbje’ Historia e Dhurata
Nga ana tjetër, historia e Dhuratës ishte edhe një ‘zbulesë’ për jetën e fëmijëve që rriten nën kujdesin e shtetit dhe sesi këto institucione duhet ‘të trajnojnë personelin e tyre dhe të vënë në provë sa të afta janë kujdestaret, në mënyrë që fëmijët të ndjehen të sigurt, të kenë ngrohtësi dhe të mos t'i keqtrajtojnë, përkundrazi t'u japin kurajë që të ecin përpara’.

‘Dashuria e një fëmije plot dhimbje’ Historia e Dhurata
Mirërritja e fëmijëve jo në familjen biologjike, por në institucione shtetërore ka treguar shembuj sesi nga braktisja ata kanë arritur t’ia dalin e të kthehen në figura botërore, që kanë transformuar me shembullin dhe talentin e tyre historinë.

Marilyn Monroe, para se të bëhej simbol i Hollywood-it, ajo kaloi pjesën më të madhe të fëmijërisë në 11 shtëpi fëmije dhe u martua në moshën 16-vjeçare pikërisht për të shpëtuar nga kthimi në jetimore. Stilistja ikonike Coco Chanel, pas vdekjes së nënës së saj kur ishte 12 vjeçe, u dërgua nga i ati bashkë me motrën në një jetimore të drejtuar nga murgeshat, ku mësoi të qepte, një aftësi që hodhi themelet e perandorisë së saj të modës.

Këtë ka kërkuar edhe Dhurata në mesazhin e saj që ka dhënë për revistën “Bordo”, që të vegjlit pa përkrahje që rriten në këto institucione, të ndiejnë ngrohtësinë e familjes. “Duhet që fëmijët të jetojnë me moshatarët e tyre, të shkollohen dhe të kenë mbështetje nga kujdestarët, në mënyrë që në të ardhmen të mos dalin në rrugë dhe të jenë krejt të vetëm”, shprehet Dhurata Bozho.

Ajo nuk e fsheh se e ka pasur të vështirë, pavarësisht se ka pasur një kujdestare, e cila edhe pasi doli nga institucioni, e mbështeti në hapat e saj më të vështirë, ku ju desh të fillonte jetën e pavarur. Ndryshe nga moshatarët e tjerë, të rritur nën ‘ombrellën’ prindërore, Dhurata nuk kishte asnjë prej tyre, edhe pse njohja dhe takimi me ta ndodhi kur ishte ende në shtëpinë e fëmijës. “Prindërit më kanë ardhur në institucion që kur kam qenë në moshë më të vogël dhe i njihja, por të them realitetin nuk kam dashur të kaloja te prindërit, sepse e dija që do të filloja nga zero”. E duket se forca që ajo pati për ta nisur jetën krejt e pavarur i dha mundësinë t’ia dilte, pa e mohuar aspak mirënjohjen për nënën që është kujdesur, që e ka rritur dhe që i është gjetur pranë. “Dua t'i them fëmijëve të mos të jenë të ndrojtur, por ta marrin jetën me pozitivitet. Të thonë; unë do ja dal, të kenë besim te vetja! Kur je vetëm, je më i fortë”, shprehet ajo.

Nga ana tjetër, nuk e fsheh se jeta e ka përballur me komente pozitive dhe negative. Po nëse pozitivet kanë qenë “Bravo! Ti ja ke dalë”, ato negativet më së shumti mund ta kenë thyer, por nuk e kanë bërë aspak të dorëzohet, përkundrazi siç edhe Dhurata pohon ‘për t'i treguar fëmijëve dhe njerëzve që kanë vuajtur, që të jenë të fortë dhe mirënjohës”.

Edhe pse jeta e saj prej vitesh është shkëputur nga shtëpia e fëmijës, nuk e mohon se historia dhe kujtimet me miqtë që u rritën në të njëjtën çati i mban ende të lidhur fort. “Takohem me shokët e shoqet, më hidhen në qafë dhe më thërrasin Lata. Jam tip shumë e ndjeshme dhe më prekin kur më thonë “na ke munguar”. Ka pasur raste që pasi jam martuar të jem kthyer në institucion për qejf dhe kam qëndruar dy ose tri ditë. Kam kujtime shumë të bukura, sidomos me kujdestaren që i jam shumë mirënjohëse.

Por tani, që jeta e saj ka ndryshuar 360 gradë, mesazhi që Dhurata do të japë e ka fokusin më shumë te prindërit. “Do t'ju thoja prindërve, takojeni fëmijët tuaj sepse të japin një dashuri shumë të madhe, pavarësisht se ndjehen të vrarë shpirtërisht nga mungesa e tyre. Ta lëmë mbrapa atë çfarë ka ndodhur dhe të ecim dhe të shikojmë vetëm përpara”.
E pikërisht me këtë moto, përpos sfidave që ka kaluar në jetë, Dhurata vijon të ndjekë ëndrrën e saj pa u ndalur. “Dua të ndjek modën dhe të eksploroj me veshjet. Më pëlqen fotografia dhe kjo është njëra prej tyre që dua të ndjek. Po ashtu, dua të kem në të ardhmen një biznes me veshje që i stiloj vetë”.

Nuk e mohon se falja e prindërve është pjesë e shërimit për çdo fëmijë për të ecur përpara. E kur e pyet, se nëse jeta jote do të ishte një titull libri, Dhurata e ka të qartë “Dashuria e një fëmije plot dhimbje”. “Sado e dhimbshme është historia e kujtdo, duhet ta lënë mbrapa, duhet ta kyçin në një pjesë të zemrës, ta lënë aty diku në errësirë dhe të vazhdojnë të ecin përpara”, e përmbyll Dhurata Bozho, intervistën për revistën “Bordo”.