
Finalja e madhe e “Big Brother VIP 5” ka nisur dhe gara është ngushtuar mes katër finalistëve: Mirit, Mateos, Rogertit dhe Selin, ku vetëm njëri prej tyre do të rrëmbejë çmimin e madh prej 100 mijë eurosh.
I pyetur nga moderatori Ledion Liço se si do t’i përdornin paratë në rast fitoreje, secili prej tyre ndau planet dhe dëshirat personale.
Mateo u shpreh i emocionuar për spektaklin dhe momentet e finales, ndërsa theksoi se prioriteti i tij është të ndërtojë një jetë të re me partneren:
“Tani që u martuam, duam një shtëpi në Tiranë ku të jetojmë bashkë.”
Nga ana tjetër, Miri foli me nota nostalgjie për fundin e eksperiencës në shtëpi dhe theksoi se çmimin do ta ndante me njerëzit dhe bashkëpunëtorët e tij më të afërt, përfshirë familjarë në Shqipëri dhe Gjermani, si dhe figura të rëndësishme për të si Landi dhe Dr. Flori.
Rogerti, me stilin e tij karakteristik, u shpreh me humor, por edhe me një plan të qartë: paratë do t’i depozitojë në bankë për të ardhmen e djalit të tij, duke i lënë atij lirinë t’i përdorë kur të rritet.
Ndërsa Selin ndau një rrëfim më emocional, duke treguar se një pjesë të çmimit do t’ia dedikojë familjes për të qëndruar gjithmonë bashkë, ndërsa pjesën tjetër do ta investojë në një projekt me vlerë personale: ndërtimin e një “shtëpie për fëmijët”, një amanet që, sipas tij, ia ka lënë gjyshi.
Finalja premton emocione të forta, ndërsa publiku pret të zbulojë se cili prej tyre do të shpallet fituesi i këtij edicioni.
