KreuCelebrity

Elvana Gjata lë të hapur rikthimin në Eurovision: “Ndoshta hera e tretë sjell fat”

Elvana Gjata lë të hapur rikthimin në Eurovision: “Ndoshta
Elvana Gjata mbetet një nga emrat më të përfolur nga fansat e Eurovision-it, jo vetëm në Shqipëri, por edhe më gjerë në Europë. Pas dy përpjekjeve të mëparshme në Festivalin e Këngës, ku u rendit në vendin e dytë, artistja duket se nuk e ka mbyllur ende kapitullin me këtë skenë.

Së fundmi, gjatë një interviste për kanalin italian në YouTube “Cult Pop”, në prag të koncertit të saj në Milano më 10 maj, Elvana u pyet drejtpërdrejt për mundësinë e një rikthimi. Një mesazh me mbishkrimin “Eurovision 2027?” mjaftoi për të nxitur reagimin e saj.

Ajo shpjegoi shkurtimisht se Shqipëria përzgjedh përfaqësuesin përmes Festivalit të Këngës në Tiranë, një format që e krahasoi me Sanremo-n italian. Ndërkohë, nuk mungoi as një deklaratë që ndezi menjëherë entuziazmin e fansave: sipas saj, ndoshta tentativa e tretë mund të jetë ajo e suksesshmja.

Kaq ka mjaftuar që rrjetet sociale të shpërthejnë me spekulime për një rikthim të mundshëm të këngëtares në festival, me synimin për të përfaqësuar Shqipërinë në Eurovision.

Elvana ka qenë pjesë e Festivalit të Këngës në edicionet e 58-të dhe 63-të, ku synonte biletën për në Eurovision 2020 dhe 2025, por në të dyja rastet u rendit e dyta, pas Arilena Arës dhe grupit Shkodra Elektronike.