KreuCelebrity

Këngëtari bullgar "vjedh" Valle Kosovare të Shpat Kasapit, fansat shqiptarë nuk kursehen ndaj artistit!

Këngëtari bullgar "vjedh" Valle Kosovare të Shpat

Një projekt i ri muzikor nga dy yje të njohur të skenës bullgare, Azis dhe Tsvetelina Yaneva, ka kaluar kufijtë e tregut vendas dhe ka hyrë në radarët e publikut shqiptar. Dyshja publikuan së fundmi këngën “Havte”, një produksion me ritme ballkanike, i shoqëruar me një videoklip të realizuar në ambientet e një aeroporti.

Megjithatë, vëmendja nuk është përqendruar vetëm te klipi apo bashkëpunimi i tyre, por te vetë melodia e këngës. Dëgjues të shumtë shqiptarë kanë theksuar në rrjetet sociale se refreni i “Havte” ngjan dukshëm me hitin e njohur “Valle Kosovare”, këngë e lidhur ngushtë me emrin e Shpat Kasapi. Sipas komenteve online, struktura melodike e refrenit krijon një ndjesi të fortë déjà vu për publikun që e njeh këngën shqiptare.

Debati bëhet edhe më i ndjeshëm duke pasur parasysh se “Valle Kosovare” kohët e fundit kishte rifituar popullaritet ndërkombëtar për shkak dhe të ngjarjes së trishtë me të ndjerin këngëtarin Shpat Kasapin. Kënga u kthye në trend në TikTok, duke u përdorur në miliona video nga përdorues në mbarë botën, çka e riktheu fuqishëm në qarkullim një nga krijimet më të dashura të muzikës shqiptare.

Ndërkohë, në kreditet zyrtare të “Havte”, projekt i prodhuar nga Costi Ioniță, nuk figuron asnjë referencë ndaj autorëve të “Valles Kosovare” apo ndaj vetë Shpat Kasapit. Kjo mungesë ka ushqyer edhe më tej diskutimet, duke lënë hapur pyetjen nëse kemi të bëjmë me një frymëzim të zakonshëm ballkanik apo me një ngjashmëri që shkon përtej rastësisë.