Një situatë e pazakontë dhe e tensionuar është regjistruar mbrëmjen e së enjtes në studion e emisionit “Opinion”, gjatë diskutimit për Dhomat Speciale dhe procesin gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së në Hagë.
Debati mes opinionistit Berat Buzhala dhe shkrimtarit Albatros Rexhaj ka nisur me replika të ashpra lidhur me themelimin e Gjykatës Speciale dhe interpretimin e Kushtetutës. Rexhaj akuzoi klasën politike që kishte votuar ndryshimet kushtetuese, duke theksuar se përgjegjësia për fuqizimin e Dhomave Speciale nuk i takonte Albin Kurtit. Nga ana tjetër, Buzhala e akuzoi Rexhajn se kishte ardhur në studio për të tensionuar diskutimin.
Shkëmbimi verbal u përshkallëzua kur Rexhaj i tha Buzhalës se nuk ishte “pronar i debatit” dhe i kërkoi të mbyllte gojën.
Në atë moment, Buzhala u ngrit nga karrigia dhe iu afrua panelistit tjetër, duke e shtyrë dhe duke tentuar ta godasë me shishe, ndërsa situata u bë edhe më e tensionuar me tone të larta dhe ofendime.
Moderatorit Blendi Fevziu iu desh të ndërhynte menjëherë për të ndarë dy të ftuarit, me ndihmën e analistit Ermal Hasimja, duke rikthyer qetësinë në studio dhe duke vijuar transmetimin.
View this post on Instagram
Pak minuta më vonë, Rexhaj shprehu keqardhje për skenat e transmetuara, duke thënë se ngjarja nuk ishte aspak e denjë për publikun dhe se familjarët e tij ishin shqetësuar nga ajo që kishin parë në ekran. Edhe Buzhala kërkoi ndjesë për situatën e krijuar, duke iu drejtuar moderatorit dhe ndjekësve të emisionit.
Megjithatë, tensionet duket se u shuan gjatë ndërprerjes publicitare, pasi në rikthim u transmetuan pamje ku dy protagonistët shfaqeshin duke u përqafuar dhe duke shtrënguar duart, në shenjë pajtimi.
Ngjarja ka nxitur reagime të shumta në rrjetet sociale, ndërsa momenti i përplasjes pritet të mbetet një nga episodet më të komentuara në historinë e debatit televiziv shqiptar.
