Skiatorja amerikane Breezy Johnson po përjeton një nga momentet më të bukura të jetës së saj, brenda dhe jashtë pistës olimpike. Vetëm pesë ditë pasi fitoi medaljen e artë në disiplinën e zbritjes për femra, 30-vjeçarja u fejua me partnerin e saj, Connor Watkins, në një moment emocionues në vijën e finishit.
Ngjarja e veçantë ndodhi të enjten, më 12 shkurt, pak minuta pasi Johnson garoi në Super-G për femra. Në mes të borës dhe duartrokitjeve të turmës, Watkins u ul në një gju dhe i propozoi martesë, duke i dhuruar një unazë me një gur blu dhe një mesazh të gdhendur në dru me vargun e Taylor Swift:
“Sinqerisht, kush jemi ne që të luftojmë alkiminë?” nga kënga “The Alchemy”.
E përlotur ajo tha “po”, ndërsa çifti u përqafua mes brohorimave të të pranishmëve. Watkins tregoi për NBC se e kishte planifikuar propozimin prej një viti dhe shpresonte ta realizonte pikërisht në zonën e finishit. “Gjithçka shkoi përtej imagjinatës sonë më të çmendur,” u shpreh ai.

Nga ana e saj, Johnson pranoi se gjithmonë kishte ëndërruar të fejohej në Lojërat Olimpike. “Kjo ishte dëshira ime. Por realiteti doli shumë më i bukur sesa e imagjinoja,” tha ajo.

Pas momentit romantik, çifti planifikoi të festonte me familjarë dhe miq në Cortina, përpara se të udhëtonte drejt Livignos për të ndjekur garat e tjera të Lojërave Olimpike 2026.
Për Johnson, këto Lojëra Olimpike kanë qenë një rikthim i madh, pasi një rrëzim në të njëjtën pistë e kishte lënë jashtë Olimpiadës së Pekinit 2022. Ajo u rikthye fuqishëm duke fituar medaljen e artë dhe duke shkëlqyer edhe në garën ekipore, pavarësisht se përfunduan jashtë podiumit.
“Nuk ka asgjë më të bukur sesa të arrish sukses dhe ta ndash atë me dikë,” u shpreh Johnson, duke treguar se për të, këto Lojëra do të mbeten të paharrueshme.
