
Kim Kardashian duket se po e shijon me qetësi njohjen me kampionin e Formula 1, Lewis Hamilton, duke mos nxituar t’i vendosë etiketa marrëdhënies.
Dyshja u fotografua së bashku në Paris më 2 shkurt, ku sipas burimeve për mediat rozë, takimi kishte natyrë romantike. Një burim për PEOPLE ka zbuluar se Hamilton e bën Kim-in të ndihet “e sigurt” dhe se ajo “e shijon vërtet kohën që kalon me të”.
“Mes tyre ka një rehati të veçantë, pasi njihen prej vitesh. Kim ka dalë në takime dhe ka njohur persona të tjerë, por Lewis është i pari mashkull për të cilin ajo ka ndjenja të forta pas një kohe të gjatë. Ajo e ka pëlqyer gjithmonë dhe është e emocionuar për këtë romancë,” ka treguar burimi.
Megjithatë, ylli i reality show-t po e merr gjithçka hap pas hapi. Sipas të njëjtit burim, Kim është e fokusuar te jeta e saj në Los Anxhelos, te fëmijët dhe projektet profesionale, pa ushtruar presion për të ardhmen e marrëdhënies. “Ajo po jeton momentin dhe po sheh se ku do ta çojë kjo njohje,” është shprehur burimi.
Kim dhe Lewis u panë sërish bashkë gjatë Super Bowl-it më 8 shkurt, ku qëndruan në të njëjtën suitë në stadiumin Levi’s në Kaliforni. Në event ishin të pranishme edhe Kendall Jenner dhe Hailey Bieber.
Spekulimet u shtuan edhe më shumë një ditë më pas, kur ndjekësit pretenduan se Hamilton dëgjohej në sfond të një videoje të postuar nga Kim në rrjetet sociale, ku ajo së bashku me Khloé dhe Kylie Jenner provonin “Titanic Challenge”.
Sa i përket jetës së saj sentimentale, Kim u përfol për herë të fundit me Odell Beckham Jr. në fund të vitit 2023, por lidhja përfundoi në prill 2024. Para tij, romanca e saj më e komentuar ishte ajo me Pete Davidson, që zgjati nga tetori 2021 deri në gusht 2022.
