KreuCelebrity

Rio Ferdinand flet hapur për pasojat e karrierës: “Ka ditë që përfundoj në karrige me rrota”

Rio Ferdinand flet hapur për pasojat e karrierës: “Ka ditë
Karriera në elitën e futbollit i ka lënë gjurmë të thella Rio Ferdinandit. Në moshën 47-vjeçare, ish-mbrojtësi anglez po përballet me pasojat serioze të dëmtimeve të akumuluara ndër vite, të cilat vazhdojnë ta ndikojnë rëndë në jetën e përditshme.

Në një intervistë për Men’s Health UK, Ferdinand ka rrëfyer se problemet kronike me shpinën e detyrojnë herë pas here të shtrohet në spital dhe madje të përdorë përkohësisht karrige me rrota. Ai pranoi se për një periudhë të gjatë gjatë karrierës ka luajtur nën efektin e qetësuesve dhe injeksioneve, vetëm për të qenë i gatshëm në fushë.

“Për rreth gjashtë vite kam marrë vazhdimisht pilula dhe kam bërë injeksione që të mund të luaja. Në atë kohë mendoja vetëm për ndeshjet, jo për pasojat,” ka treguar ai, duke shtuar se sot paguan çmimin e atyre sakrificave.

Sipas Ferdinandit, krizat e dhimbjes shfaqen papritur dhe me intensitet të lartë. Ka raste kur detyrohet të qëndrojë disa ditë në spital, ndërsa lëvizja i kufizohet ndjeshëm. “Vjen pa paralajmërim. Ka momente shumë të vështira,” është shprehur ai.

Edhe pse tashmë jeton në Dubai dhe ka përqafuar metoda të reja për mirëmbajtjen fizike dhe rikuperimin, realiteti mbetet sfidues. Ish-futbollisti duhet të menaxhojë një gjendje që lidhet drejtpërdrejt me traumën fizike të përjetuar gjatë viteve në nivelet më të larta të futbollit profesionist.