
Renato Mekolli, një prej emrave më të njohur të gastronomisë shqiptare, ka folur për herë të parë për arsyet që e detyruan të largohej nga Shqipëria dhe të zhdukej nga rrjetet sociale. Në një deklaratë të gjatë dhe të ndjerë, të publikuar në Facebook, Mekolli tregon se vendimi nuk ka qenë i tij, por një nevojë për të mbijetuar përballë kërcënimeve dhe rrethanave të rënda që ka përjetuar.
“U largova për të shpëtuar veten. Jeta ime u kërcënua nga segmente të politikës shqiptare dhe nga rrethana të tjera të rënda. Përjetova skllavërinë moderne dhe mësova çfarë do të thotë të jetosh në një demokraci që është më keq se komunizmi që kanë përjetuar prindërit apo gjyshërit tanë. M’u ndalua liria e çdo gjëje dhe, çuditërisht, çdo denoncim i imi zhdukej nga Policia pa asnjë arsyetim. Jeta ime u dhunua fizikisht dhe psikologjikisht,” shkruan Mekolli.
Ai tregon se luftoi deri në pikën e fundit, por në fund zgjodhi jetën dhe vazhdoi të ringrihej. Në rrëfimin e tij, Mekolli shprehet i zhgënjyer nga disa persona të afërt që dinin çfarë po përjetonte, por heshtën dhe nuk e mbështetën.
Në një pjesë tjetër të deklaratës, ai njofton se në fund të vitit do të publikohet autobiografia e tij për tregun amerikan, me titullin e përkohshëm “The Chef – My Last Chance at Life”, ku do të tregojë të gjithë historinë e jetës së tij: nga fëmijëria dhe emigrimi në Greqi, deri tek maja e suksesit në gastronomi dhe televizion, si dhe sakrificat që i shkatërruan trupin dhe shpirtin. Ai paralajmëron se Shqipëria nuk do të dalë me një imazh të bukur, por libri do të pasqyrojë historinë siç është jetuar, me dhimbje, heshtje dhe durim të dhunuar.
Mekolli shprehet gjithashtu mirënjohje për mbështetjen e publikut, mediave, partnerëve televizivë dhe sponsorëve, duke përmendur veçanërisht Top Channel dhe kompaninë ELKA. Ai falënderon të gjithë ata që nuk e harruan dhe i qëndruan pranë gjatë periudhës më të vështirë të jetës së tij.
“Duhej ta ringrija Renaton me çdo kusht. Duhej të vazhdoja ëndrrën time. Sot jetoj me zjarr në gjak, me sy që kanë parë ferrin, por kanë zgjedhur dritën. Ky është versioni im i Ëndrrës Amerikane: rilindja pas stuhisë, drita pas errësirës dhe fitorja e madhe mbi dhimbjen. Unë nuk u dorëzova kurrë. Po ti?” përfundon Mekolli.
Deklarata e tij është një rrëfim i thellë personal, një kronikë e sakrificave dhe sfidave që e shndërruan atë në një simbol të fuqisë dhe vendosmërisë.



