KreuCelebrity

“Herën e parë që pashë ashensorin…”/ Eleni Foureira rrëfen fëmijërinë në Shqipëri dhe si e ndryshoi mëmësia

“Herën e parë që pashë ashensorin…”/
Eleni Foureira ka hapur zemrën për të kaluarën e saj, duke kujtuar vitet e para të jetës në Shqipëri dhe momentin kur u shpërngul në Greqi një ndryshim që, siç tregon ajo, i la mbresa të forta.

Në podkastin “Rainbow Mermaids”, këngëtarja foli për përvojat e para në një realitet krejt ndryshe nga ai që kishte njohur. Ajo kujtoi me emocion se si e habitën gjëra që për shumëkënd duken të zakonshme, madje edhe një ashensor. Po ashtu, ndaloi te shija e bukës së furrës në Greqi, që i dukej krejt tjetër nga buka që nëna e saj përgatiste çdo ditë me duart e veta në Shqipëri.

Artistja rrëfeu edhe për vështirësitë e fëmijërisë, duke treguar se punonte që e vogël për të ndihmuar familjen. Rrobat dhe këpucët shpesh i siguronin në tregje të përdorura ose përmes kishës një realitet që sot e kujton me përulësi dhe forcë.

Një kapitull i ri në jetën e saj nisi me lindjen e djalit, Hermes. Foureira theksoi se mëmësia e ka transformuar thellësisht. “Mëmësia të kthen sërish në fëmijë. Kur sheh pafajësinë në sytë e tij, pyet veten pse humbim atë pastërti me kalimin e viteve,” u shpreh ajo, duke reflektuar mbi ndryshimet që sjell rritja, dhimbjet, gëzimet dhe pjekuria.

Sipas saj, një fëmijë është si një “faqe e bardhë” që mbushet çdo ditë me vlera dhe mësime, ndaj ndien përgjegjësinë ta udhëheqë të birin drejt të mirës me gjithë forcën e saj.

Rrëfimi i këngëtares sjell jo vetëm nostalgjinë e një fëmijërie të thjeshtë, por edhe një mesazh të fortë për dashurinë, sakrificën dhe ndikimin e madh që ka prindërimi në formimin e një jete të re.