
Anglia ka shënuar një moment historik në Kishën Anglikane, pasi Sarah Mullally është emëruar Kryepeshkopja e parë grua e Canterbury-t, duke marrë drejtimin e një komuniteti me rreth 85 milionë besimtarë në mbarë botën.
63-vjeçarja, me një të kaluar profesionale si infermiere dhe mami, u zyrtarizua në këtë post më 25 mars gjatë një ceremonie madhështore të mbajtur në Canterbury Cathedral. Në këtë ngjarje morën pjesë rreth 2 mijë të ftuar, përfshirë edhe Princin William dhe Catherine, Princeshën e Uellsit.
Ceremonia u shoqërua me rite tradicionale simbolike. Mullally trokiti tri herë në portën perëndimore të katedrales me shkopin baritor, një veprim që simbolizon nisjen e misionit të saj të ri. E veshur me petka në nuanca të arta, ajo u prit nga fëmijë të zonës, të cilëve u theksoi se synimi i saj është të shërbejë me përkushtim dhe të përçojë mesazhin e dashurisë së Krishtit.
Gjatë ceremonisë, një moment kyç ishte ulja e saj në dy frone të veçanta, që përfaqësojnë përgjegjësitë e saj të dyfishta: si peshkope e dioqezës së Canterbury-t dhe si udhëheqëse shpirtërore e Kishës Anglikane në nivel global.
Ajo merr detyrën në një periudhë sfiduese për Kishën e Anglisë, pas dorëheqjes së paraardhësit të saj, Justin Welby, i cili u përball me kritika lidhur me menaxhimin e një rasti abuzimi të vjetër që daton nga vitet ’70.
