
Pas muajsh spekulimesh, krijuesit e “Bridgerton” kanë konfirmuar drejtimin që do të marrë sezoni i pestë i serialit të njohur. Në qendër të historisë do të jetë Francesca Bridgerton, e interpretuar nga Hannah Dodd, dhe lidhja e saj me Michaela Stirling, rol që do të luhet nga Masali Baduza.
Njoftimi i Netflix shënon një moment të ri për serialin, pasi për herë të parë do të trajtohet një histori dashurie mes dy personazheve të së njëjtës gjini. Ky zhvillim përbën edhe një ndryshim nga materiali origjinal i Julia Quinn. Në romanin When He Was Wicked, Francesca përfshihet në një romancë me Michael Stirling, kushëriri i bashkëshortit të saj të ndjerë, ndërsa në adaptimin televiziv personazhi është rikrijuar si Michaela.
Producentja ekzekutive Jess Brownell ka shpjeguar se ky vendim nuk është marrë thjesht për përfaqësim, por për të sjellë një histori autentike. Ajo ka theksuar se ndihet e lidhur personalisht me Francesca-n, e cila në libra përshkruhet si një person që shpesh ndihet ndryshe, pa e kuptuar plotësisht pse. Sipas saj, kjo përvojë reflekton realitete që shumë persona queer i përjetojnë.
Edhe autorja e librave, Julia Quinn, e ka mbështetur këtë ndryshim, duke theksuar se është e përkushtuar që universi i “Bridgerton” të evoluojë dhe të jetë më gjithëpërfshirës në ekran.
Xhirimet për sezonin e ri kanë nisur tashmë, pas suksesit të sezonit të katërt që u mbyll së fundmi. Megjithatë, publikimi i historisë së Francesca-s dhe Michaela-s nuk pritet përpara fundit të vitit 2027.
