
Angelina Jolie ka ndarë një histori rrëqethëse nga
Gaza, duke publikuar në rrjetet sociale një letër që ka marrë nga një e re 26-vjeçare, e cila jeton mes pasojave të luftës. Aktorja, e njohur për angazhimin e saj humanitar, kishte udhëtuar disa javë më parë në zonën e Rafah, pranë kufirit mes Egjiptit dhe Gazës.
Në postimin e saj, Jolie shpjegon se vajza në fjalë ka humbur babanë gjatë një sulmi dhe tashmë jeton në një tendë së bashku me familjen dhe motrën e saj me aftësi të kufizuara. Ajo vendosi ta ndajë këtë dëshmi për të rikthyer vëmendjen te realiteti i përditshëm i banorëve të Gazës, pavarësisht se fokusi global shpesh zhvendoset drejt krizave të tjera.
Në letrën e saj, e reja përshkruan një dhimbje që shkon përtej humbjes së jetës, duke theksuar se në këtë konflikt kanë zbuluar një formë edhe më të rëndë vuajtjeje: të jetosh i zbrazët shpirtërisht, nën peshën e traumës dhe shkatërrimit që ka lënë pas lufta.
Ajo tregon se, edhe muaj pas përfundimit të përplasjeve, jeta në Gaza mbetet jashtëzakonisht e vështirë. Sfidat nuk lidhen vetëm me mbijetesën ndaj dhunës, por edhe me përballjen e përditshme me mungesat bazë, që nga uji deri te ushqimi.
Rrëfimi përshkruan kushte të rënda në kampet e mbipopulluara, ku njerëzit zgjohen mes zhurmës dhe radhëve të gjata për ujë e ndihma. Fëmijët, sipas saj, po rriten pa përjetuar normalitetin e shkollës apo lojës, ndërsa ëndrrat e tyre janë reduktuar në nevoja minimale për mbijetesë.
