
Aktori Ermal Mamaqi ka ndarë një rrëfim të ndjerë për mikun e tij të ndjerë, artistin Dr. Flori, gjatë një interviste për “S’e luan topi”, duke folur për periudhën e vështirë që këngëtari ka kaluar në jetën e tij.
Mamaqi u shpreh se Dr. Flori kishte arritur në një moment ta linte pas varësinë dhe të rikthente stabilitetin në jetën e tij, duke u distancuar nga jeta e natës dhe duke u përqendruar te familja.
“Ai në fakt e la drogën, ai u pastrua dhe u rehabilitua 100%. E tërhoqa nga jeta e natës, drogës, alkoolit, dhe ai u bë shumë familjar. Flori pati një moment dobësie nga disa gjëra që ndodhën në jetën e tij dhe fatkeqësisht ai nuk ia doli dhe u rikthye sërish”, tha ai.
Aktori kujtoi gjithashtu edhe projekte ndërgjegjësuese që kishin menduar së bashku, por që nuk u realizuan kurrë, pas ndarjes së parakohshme nga jeta të këngëtarit.
“Ne bëmë dhe një këngë ‘mos pi mall, bëj palestër’, madje patëm dhe një projekt me Florin që të shkonim në shkolla dhe të tregonte si e la drogën, por ai projekt nuk ndodhi por ajo që ndodhi është se ai iku dhe dha një mesazh edhe më të madh, që kjo rrugë të çon drejt vdekjes. 17 nëntor kur Flori ndërroi jetë dhe ka qenë moment shumë i vështirë për mua. Doja të jepja kontributin tim si vëlla, si shok, që ai të kthehej… por kështu duhej të ndodhte. Rrugët e Zotit nuk i kuptojmë, por ai edhe me vdekjen e tij e la një mesazh”, tha ai.
